Nga Mohamad Bazzi Fatkeqësisht për të dhe për Libinë, Muammar al-Qaddafi tradhtoi revolucionin e tij, tamam siç ndodhi me gjeneratën e tij. Vdekja e tij shënon fundin e sundimit të liderëve të stilit të vjetër nacionalist. Në mars të vitit 2008, Muammar al-Qaddafi, gjatë një samiti u ul në podiumin e Ligës Arabe në Damask për të mbajtur një fjalim disi të hallakatur, por të famshëm. Gjatë fjalës ai shpalli një paralajmërim profetik, ku qortonte krerët e shteteve, të cilët pranonin në heshtje ekzekutimin e Sadam Huseinit. “Një forcë e huaj ka pushtuar një vend arab dhe var liderin e vet, ndërkohë që ne të gjithë rrimë duke parë dhe duke qeshur”, ulëriste Gadafi. “Radha juaj do të vijë shpejt!”. Audienca shpërtheu nga të qeshurat. Teksa kamerat televizive transmetonin nëpër sallë, presidenti sirian Bashar al-Assad, turfullonte. Gadafi vazhdoi, ashtu i shfrenuar: “Edhe ju, përkrahës të Amerikës. Jo, doja të thosha, miqtë e Amerikës. Amerika besoj se do ta pranojë një ditë varjen tonë”. Përsëri plasën të qeshurat. Tashmë ata nuk janë më duke qeshur. Gadafi ishte nacionalisti arab i fundit dhe vdekja e tij ditën e enjte shënon fundin e një epoke. Bashkëkohësit e tij ishin si Sadami dhe si i ati i Assadit dhe paraardhësi i tij, Hafez al-Assad – ushtarakë nga familje të varfra, të cilët luftuan gjatë revolucionit, që shpërtheu në Lindjen e Mesme më 1960 dhe 1970. Frymëzuesi i tyre ishte oficeri ushtarak karizmatik egjiptian, Gamal Abdel Nasser, i cili përmbysi Mbretin Farouk më 1952. Fjalimet e Nasserit që dëgjoheshin në gjithë rajonin me anë të radios tranzitore, tronditën vizionin e unitetit arab. Ishte kohë trazirash. Në fillim Sadami, Gadafi dhe Assad personifikonin një epokë të re premtuese për reformat popullore. Nacionalizmi arab nisi të dobësohej pas sfidës arabe në luftën e vitit 1967 me Izraelin, që bëri që shumë arabë të ndiheshin të tradhtuar nga liderët e tyre. Me vdekjen e Nasserit 3 vjet më vonë, shpresa e madhe e unitetit arab po shuhej. Qytetarët shihnin sesi heronjtë e tyre korruptoheshin, despotët autoritare që ushtronin presion, ekzekutonin kritikët e tyre dhe harxhonin pa hesap burimet në vend. Nga viti 1980, lëvizjet islamike po fitonin terren në rajon, gjatë Revolucionit Islamik të Iranit dhe xhihadit kundër pushtimit rus të Afganistanit. Shoqëria arabe u bë më konservatore dhe lëvizjet islamike i larguan partitë pan-arabe dhe ato laike, duke u përpjekur për një ndikim më domethënës mbi jetën kulturore dhe atë personale. Në përpjekje për të shtypur ndonjë kundërshtim të autoritetit të tyre, autokratët rajonalë krijuan aparate sigurie që merrnin në shenjë kundërshtarët islamikë dhe ato laikë. Lëvizja emancipuese arabe përfundoi me tradhti, dëbime dhe masakra. Tashmë, një nga një, burri i fortë ka nisur të lëkundet dhe të bjerë. Një gjeneratë e re revolucionesh ka mëkuar një lloj gjallërimi të identitetit pan-arab të bashkuar rreth kërkesave për të drejtat politike dhe shoqërore. Kur protestat e nisura në Tunizi u shpërndanë edhe në Egjipt, Libi, Jemen, Bahrein dhe Siri, çdo revoltë u frymëzua nga tjetra. Një avangardë liderësh civilë nisi të shfaqej nga revoltat dhe megjithëse plotësuan disa nga doktrinat e vjetra arabe, si p.sh. retorika antikoloniale dhe rezistenca me Izraelin, ata të gjithë janë të vetëdijshëm për dështimet e gjeneratës së Gadafit. Në kulmin e entuziazmit arab dhe pan-arab, liderë si Nasser u përpoqën të vinin në lëvizje mbështetjen politike matanë kufijve duke bërë thirrje për idenë që arabët janë gati për një gjuhë të përbashkët, kulturë, histori dhe identitet politik. Revolucionarët e sotëm po përdorin një retorikë të ngjashme në luftën e tyre kundër autoritarizmit. Nuk është e rastit që turmat në Tunizi, Egjipt, Siri, Jemen, Bahrein dhe kudo tjetër kanë përsëritur të njëjtën parullë: “Njerëzit duan rënien e regjimit”. Arabët janë frymëzuar nga metodat dhe synimet e njëri-tjetrit dhe nuk pranojnë më një marrëveshje shoqërore, ku mund të bëhet paqe me shtypjen qeveritare, ligjet arbitrare, censurën dhe sundimin vetëm me një parti, në shkëmbim të sigurisë dhe stabilitetit. Në vend të kësaj, ata kërkojnë drejtësi, liri dhe dinjitet. “Njerëzit nuk duhet t’i frikësohen qeverisë së tyre. Qeveritarët duhet t’i frikësohen popullit të tyre” kështu lexohet te një pankartë në sheshin Tahrir në Kajro, në muajt e parë të këtij viti. Revolucionet e tanishme arabe janë ndryshe nga ato të mesit të shekullit 21 në një pikë: ato nuk janë lëvizje si ato që sollën autokratët në fuqi. Ato nuk janë udhëhequr apo nxitur nga ushtarakë apo figura karizmatike. Koha e të fortëve arabë tashmë ka ikur dhe megjithëse mbetet e paqartë se kush do t’i zëvendësojë, revolucionarët e sotëm po e faktorizojnë nacionalizmin arab duke e bërë më popullore. Rebelët arabë të sotëm duhet të ekzaminojnë trashëgiminë e Gadafit dhe të shmangin kurthet e lëvizjeve të vjetra nacionaliste. Kur erdhi Gadafi në pushtet, personifikoi refuzimin arab të mbeturinave të sundimit kolonial. Si i biri i një çifti të ri beduinësh, ai u rrit në një shkretëtirë të Sirtes. Kur ishte adoleshent, para se të regjistrohej në akademinë ushtarake të Libisë në moshën 19 vjeçare, ai dëgjoi një program në radion e Kajros “Zëri i arabëve” dhe i mbante mend përmendësh fjalimet e Nasserit. Më 1969, lideri egjiptian anti-imperialist e nxiti Gadafin, në moshën 27 vjeçare të drejtonte një grup kundër Mbretit Idris, i cili ia kaloi stafetën disa kompanive perëndimore që shfrytëzonte burimet me naftë të Libisë dhe që kishin pak pasuri. Në fillim, kjo organizatë solli zhvillim për libianët e thjeshtë. Regjimi i Gadafit i detyroi firmat e huaja të naftës të hiqnin dorë nga nafta e Libisë. Liderë të tjerë të rajonit ndoqën shembullin e Gadafit dhe kërkuan koncesione nga gjigantët e naftës në emër të nacionalizmit arab. Një nga këta liderë ishte edhe Sadam Husein: në fillim të viteve ’70, Sadami mbikëqyri konfiskimin e aseteve të naftës në Irak nga kompanitë e huaja, pikërisht në kohën kur çmimi i naftës po rritej. Ky fat bëri që të modernizohej Iraku rural, duke u dhënë toka fermerëve dhe duke motorizuar prodhimin agri-kulturor. Iraku mund të bëhej një nga vendet më të pasura të botës arabe – dhe një nga më shtypëset. Në të njëjtën mënyrë, Gadafi ndërtoi shkolla, shtëpi, spitale, rrugë dhe autostrada. Ai organizoi një fushatë për të zgjeruar edukimin e lirë dhe kujdesin për shëndetin dhe u përpoq të krijonte industri të reja. Më 1969, shpresa për jetën në Libi ishte 51; sot, është 77. Edhe pse të ardhurat vjetore janë më të ulëta sesa shtetet e tjera që prodhojnë naftë, sot është më e lartë se shtetet fqinje Algjeria, Egjipti dhe Tunizia. Pavarësisht hovit fillestar të prosperitetit, një pjesë e madhe e pasurisë së naftës në Libi, ashtu si dhe në Irak, është harxhuar nga diktatori dhe të afërmit e tij. Ashtu si liderët e tjerë arabë të gjeneratës së tij, Gadafi shpejt u bë tiran. Operativët e tij masakruan disidentët në kryeqytetet evropiane dhe e futën Libinë në një konflikt shkatërrimtar me fqinjin jugor të Çadit. Ai bëri shumë armiq seriozë në perëndim në vitet ’70 dhe ’80 duke përkrahur grupet terroriste dhe individët si në ushtrinë republikane irlandeze, ushtrinë e kuqe të Gjermanisë, Abu Nidal dhe Karlos dhe Jackal. Pasi agjentët libianë u implikuan në shpërthimin e vitit 1988 të Fluturimit Pan Am mbi Lockerbie, Skoci, Kombet e Bashkuara imponuan sanksione në Libi dhe Gadafi u bë një pariah ndërkombëtar. Gadafi e hiqte veten si kampion dhe si një filozof e burrë shteti. Ai sistemoi mendimet e tij të çuditshme dhe banale njëkohësisht në Librin e Blertë, një libër ky me 3 volume për politikën, ekonominë, organizimin shoqëror dhe shumë tema të tjera. Më 1975 ai botoi volumin e tij të parë (në mënyrë të paturpshme e titulloi “Zgjidhja e problemit të demokracisë” dhe pretendoi se mund të shërbente si projekt për shpëtimin e sistemeve kapitaliste dhe komuniste në botë, nga dështimi. Me Librin e Blertë, Gadafi premtoi ta shihte botën në një mënyrë tjetër: “teoria e tij e tretë universale” do të futej në një epokë, ku njerëzit do të vendosnin vetë për regjimin. Si për të provuar teoritë e tij, ai hoqi dorë nga të gjitha pozicionet zyrtare të vitit 1977 dhe e shpalli veten “udhëheqës në epokën e masës popullore”. Libianët, siç pretendonte ai, që tani e tutje do të sundonin vetveten, duke zëvendësuar qeverisjen qendrore me “komitetet popullore” dhe “kongreset popullore” në një utopi që ai e quajti Jamahiriya (Ky “term” ishte një nga neologjizmat e famshme të Gadafit). Padyshim, Gadafi dhe ithtarët e tij mbajtën në këmbë një sundim të hekurt në të gjitha aspektet e jetës; kur kongreset popullore thirreshin në sesion, ata thjesht riafirmonin vullnetin e liderit. Deri në fund, Gadafi mbajti gjallë shpresën se ai ishte më shumë se një lider për kombin. Në një fjalim në TV në fund të shkurtit, menjëherë pas fillimit te revoltës libiane, ai foli për veten në vetën e tretë, u betua se do ishte i fortë. “Muammar Gadafi nuk kishte një post zyrtar, kështu që mund të dorëhiqej lehtë, ashtu siç bënë presidentët e tjerë! Gadafi nuk është president! “Ai është lideri i revolucionit deri në fund!” ulëriti ai. Më pas foli në vetën e parë: “Jam luftëtar. Jam muxhahid. Një revolucionar nga tenda”. Fatkeqësisht për të dhe për Libinë, ai e tradhtoi revolucionin e tij, ashtu siç bëri edhe i forti i gjeneratës tjetër. Me vdekjen e Gadafit, tashmë barra bie mbi revolucionet më të reja për të bërë më të mirën për sigurinë e aspiratës arabe. Përktheu: Rudina Dahri