English

Venecia/ODIHR, raporton në konferencë për shtyp

Tiranë, 25 tetor 2011, NOA – Një ditë pasi delegacioni i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it u takua me autoritetet e larta të vendit dhe lidershipin e opozitës për të diskutuar rreth përmirësimit të legjislacionit zgjedhor shqiptar përmes rekomandimeve të ODIHR-it, sot ky delegacion pritet të zbardhë përfundimet e takimeve me dyer të mbyllura në një konferencë për shtyp. Konferenca e delegacionit është lajmëruar se do të zhvillohet sot në orën 12.15, në ambjentet e Hotel Rogner. Dje sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin Edmond Haxhinasto konfirmoi se delegacioni i përbashkët Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it erdhi në Tiranë për të dhënë një opinion të përbashkët lidhur me përmirësimet që duhet t'i bëhen legjislacionit elektoral në Shqipëri. Detyra e delegacionit sipas Markert është që të bëhen rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Sipas tij është i rëndësishëm dialogu para adoptimit të opinionit të përbashkët që do t’i hapë rrugë edhe vijimit më tej me përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë sipas delegacionit, opinioni formal i Komisionit të Venecias, do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij Komisioni më 16-17 dhjetor. Në këtë takim do të ftohen edhe përfaqësues nga Shqipëria. Më pas gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit vlerësoi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale 2011 si një udhërrëfyes i pazëvendësueshëm për reformën zgjedhore në Shqipëri. Shefi i ekzekutivit e siguroi delegacionin e Komisionit të Venecias dhe të ODIHR-it se mazhoranca që ai drejton është e gatshme të nisë menjëherë reformën zgjedhore dhe të adresojë aty rekomandimet e bëra. Berisha u shpreh se procesi duhet të nisë në bazë të një vullneti të mirë politik, të ketë konsensus, gjithëpërfshirje dhe transparencë. Kryeministri shprehu bindjen se ekspertiza e dy organizatave është një garanci për arritjen e këtyre objektivave. mit/NOA

Në foto: Delegacioni i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it i kryesuar nga Sekretari i Komisionit Thomas Markert.

KOMENTE