Nga Fatos Lubonja Ka qenë i shumtë numri i atyre që më kanë kërkuar shpjegime mbi polemikën me Fevziun në emisionin “Opinion” të së hënës, pasi batutat e shpejta dhe ndërprerjet e shumta nuk i kanë lënë të qartë për çka doja të thosha. Po përpiqem të shpjegohem duke e filluar me historinë e një shkrimi të gazetarit italian Indro Montaneli. Në një shkrim të tijin të famshëm të vitit 1956, Montaneli tregon se si gjatë të ashtuquajturit revolucion apo kundërrevolucion të atij viti në Hungari, shtypi italian ishte ndarë në dy kampe. Ai i djathtë thoshte se në Hungari po zhvillohej një revolucion për përmbysjen e sistemit komunist, për daljen e Hungarisë nga kampi socialist e për ndërtimin e një sistemi kapitalist. Ai i majtë thoshte se atje po zhvillohej një kundërrevolucion i paguar nga SHBA për ta nxjerrë Hungarinë nga Traktati i Varshavës e për ta futur në NATO. Montaneli shkoi e vizitoi vetë Hungarinë gjatë ngjarjeve dhe zbuloi se nuk ishte e vërtetë as njëra, as tjetra: se në fakt ata që po bënin revolucion-kundërrevolucionin nuk ishin antikomunistë, por komunistë që nuk kërkonin ndryshimin e sistemit, por një komunizëm tjetërsoj, me fytyrë njerëzore dhe një Hungari që të mos ishte nën diktatin e BS. Konkluzioni që nxjerr Montaneli është se nuk ka fakte/informacione “të djathta” apo “të majta”, faktet janë thjesht fakte. Interpretimi i tyre apo komentet mbi to pastaj mund të jenë sipas një vizioni të majtë apo të djathtë për botën, por gjithnjë të bazuara mbi informacionin e drejtë. Kush e ndjek gazetarinë shqiptare sot e kupton më mirë se kushdo çfarë po shkruaj. Në Shqipëri sot ka humbur sensi i informacionit dhe i paanësisë në kuptimin që jep Montaneli. Ai është ose i majtë, ose i djathtë, në kuptimin shqiptar të termave, d.m.th. berishist ose ramist, e shumë shpesh, mu për këto arsye, në vend se të çojë tek e vërteta, çon te manipulimi i së vërtetës deri në fabrikimin e faktit/ngjarjes. Është një informacion i pandashëm nga komenti që jo rrallë ka stilin e fletërrufeve të kohës së komunizmit, i ngarkuar me gjuhë urrejtjeje ndaj një targeti, fyes për inteligjencën dhe personalitetin e një shikuesi apo lexuesi që kërkon të mendojë me kokën e tij. Le të marrin një nga ngjarjet më tragjike që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit: 21 janarin. Po të lexosh se si e dha media “berishiste”, ajo i mëshoi vetëm një pjese të faktit: atë se ky ishte një sulm/puç i përgatitur nga socialistët (nuk munguan madje edhe tentativat për t’i “zbuluar” vrasësit tek vetë socialistët apo edhe për të mbështetur versionin se në këtë “puç” ishin përfshirë edhe prokurorja e Përgjithshme dhe vetë Presidenti), ndërkohë që nuk hodhi asnjë vështrim investigues për të zbuluar vrasësit dhe përgjegjësit, kur u mor vesh se këta kishin ardhur nga shteti. Nga ana tjetër, mediat “ramiste” u mëshuan pa reshtur vetëm momenteve të vrasjeve e nuk hodhën asnjë vështrim investigues nëse ishte e vërtetë apo jo se organizimi i kësaj proteste ishte kryer me njerëz të përgatitur për të ushtruar dhunë e se dhuna që u prodhua qe një inskenim që synonte të krijonte përshtypjen në Perëndim se po ndodhte diçka e ngjashme me trazirat në vende si Tunizia. Përkundrazi, u rrek pareshtur ta paraqiste atë si një protestë normale që degjeneroi për shkak të egërsisë së policisë. Edhe vetë imazhet e përzgjedhura nëpër media për të paraqitur atë që ndodhi ishin selektive e krejtësisht në shërbim të këtij polarizimi. Kësisoj, sipas meje, që kam qenë një dëshmitar në vend i ngjarjes, publiku, në vend se të merrte të vërtetën e kësaj ngjarjeje tragjike, mori dy versione të shtrembëruara/manipuluara sipas dy vullneteve politike. Edhe shumica e analizave dhe komenteve iu veshën si kostume këtyre “fakteve” duke çuar në një ngarkim e polarizim emocional të mëtejshëm të të dyja palëve dhe, paradoksalisht, në shpëtimin nga gjyqi i opinionit të të gjithë shkaktarëve të tragjedisë. Më duket se është evidente se kjo lojë me mediat ka kohë që zhvillohet, duke e bërë gazetarinë po aq përgjegjëse sa politika për konfliktualitetin dhe bllokimin e situatës së vendit. Raporti i progresit, që vuri në dukje se sëmundja e sëmundjeve që ka Shqipëria është bllokimi i politikës për shkak të konfliktualitetit, kishte edhe një paragraf të rëndë për gjendjen e mediave kur thoshte se janë nën pushtetin e politikës dhe biznesit e se, për pasojë, gazetarët aplikojnë autocensurën. S’ka nevojë të na e thonë ndërkombëtarët: të gjithë e dinë se gjuha e urrejtjes është kallur e vazhdon të kallet në poret e shqiptarëve nëpërmjet mediave. Për fat të keq, askush nga gazetarët nuk e mori në analizë këtë përgjegjësi duke e provuar kësisoj edhe autocensurën. Personalisht, ftesën për të marrë pjesë në debatin “Topi versus Topalli” e konsiderova edhe si një mundësi për të folur kundër konfliktualitetit në politikë, duke qenë se ishim ende në zjarrin e debatit që kishte hapur raporti. Mirëpo rashë në të njëjtën skemë gazetarie që tashmë është bërë gati normale në Shqipëri, e që prej kohësh ia kam shprehur Fevziut shpesh personalisht, më pengon si gazetar ta shpreh të plotë mendimin tim. Pse e them këtë? Nuk mohohet se në emisionin “Opinion”, ashtu sikurse edhe në emisione të tjera, ka debat, d.m.th. ka ballafaqim opinionesh të kundërta. Deri këtu është për t’u vlerësuar po të kesh parasysh se në fillimvitet ‘90 zërat kundër as guxohet të shfaqeshin si fytyra në TVSH-në e asaj kohe, që ishte televizioni i vetëm. Dhe nuk mohohet se Fevziu, ndoshta edhe më shumë se të tjerë, e ka merakun që t’i ketë palët kundërshtare në studion e tij. Por, sipas meje, nuk mjafton kaq për të pasur gazetari të pavarur si pushtet i katërt. Problemi është se në debatet tona dy rreshtat me karrige përballë njëri-tjetrit tentohet të kthehen në dy llogore prej nga gjuhen gjyle në krahun tjetër në mbështetje të fakteve “berishiste” dhe “ramiste” që kanë dhënë lajmet. Gazetari që ka mendimin e tij për çështjen dhe s’pranon të veshë uniformën “berishiste” apo “ramiste”, ndjehet në këto llogore si i dhunuar, pa vendin e tij, pa pushtetin e vet, në pamundësi për të mbrojtur të vërtetën e tij që shpesh mbetet e vrarë apo e gjymtuar në fushën e kësaj beteje të pabarabartë. Më shkoqur: në arenat e debateve të ndërtuara sipas këtij stili nuk gjen hapësirë e vërteta përtej interesave të dy palëve politike që, në fakt, duhet të jetë e vërteta e atij që quhet pushtet i katërt. Dhe një nga shkaqet e kësaj është se roli i drejtuesve të emisionit nuk është në shërbim të kësaj të vërtete të pushtetit të katërt, por në shërbim të politikave editoriale të televizionit ku punon të diktuara më së shumti nga interesa të biznesit të pronarëve. Momenti i shpërthimit tim në polemikë me Fevziun ishte ai kur, në shtëpinë që, gjithsesi, e konsideroj të gazetarit e në shërbim të publikut, një deputet militant vjen e sillet me arrogancë ndaj gazetarit, të thotë se ti nuk ke peshën dhe kredibilitetin tim, pasi unë jam i zgjedhur nga populli e ti jo, duke të treguar kësisoj se si Parlamentin, edhe studiot televizive, këta lloj politikanësh i konsiderojnë si pronë të tyren dhe Fevziu nuk u shqetësua fare nga kjo, por filloi të më sulmojë mua kur i thashë këtij: “S’ke faj ti, kam faj unë që ulem të debatoj me militantë si ty”. Ky nënçmim dhe përçmim për peshën e gazetarit dhe zërin e tij për mua është ofendues dhe vjen sa për shkak të arrogancës së politikanëve, kësisoj aq edhe për shkak të nënshtrimit të gazetarëve apo bërjes së tyre palë me njërën llogore. Si përfundim: gjykimi im është se nëse duam të luftojmë konfliktualitetin e politikës që po na shkatërron, kjo nuk mund të arrihet duke u kërkuar ambasadorëve të zbusin Ramën dhe Berishën apo cilindo që pret të marrë vendin e tyre të kryekonfliktuesit. Ai mund të luftohet vetëm nëse arrihet të fuqizohen pushtetet që nuk varen prej tyre. E, ndër këta pushtete, media është ajo që ka ndikimin më të shpejtë. Pra, gjykimi im është se në media duhet të rritet shfaqja e atyre zërave gazetareskë që kanë një vështrim kritik përtej palëve, madje edhe kur janë palë; që refuzojnë t’i nënshtrohen shantazhit sipas të cilit nëse nuk je me mua, je me kundërshtarin tim; që nuk merren me përpunimin e manipulimin e emocioneve pro njërit apo tjetrit lider karizmatik, por merren me drejtësinë ose jo të çështjeve në debat; dhe, po ashtu, ku të ftuarit e palëve politike të zgjidhen nga radhët e njerëzve më të moderuar dhe jo ata që njihen si kamikazë mediatikë të partive, që hedhin kushtrim lufte dhe sharje e ofendime jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për çdokënd që nuk është 100% me ta duke hedhur në erë vetë debatin. Gjykoj se më shumë se kushdo janë pikërisht drejtuesit e lajmeve dhe drejtuesit e debateve politike, ashtu sikurse edhe kryeredaktorët e gazetave, ata që kanë më shumë se kushdo mundësinë për të vendosur në vend pushtetin e katërt si përfaqësues i interesave të publikut dhe jo të partive politike e të biznesit të lidhur me ta. Në fakt, duhet ta kemi të qartë se nga konfliktualiteti shkatërrues politik që po përjetojmë mund të dalim në dy mënyra: o me vendosjen e diktatit të më të fortit që nesër mund të na çojë, siç dhe po duken bathët, nga gazetaria e llogoreve në fundin e gazetarisë, ose me vendosjen e të fortëve nën kontrollin e pushteteve të ndarë prej tyre në emër të interesave të opinionit. Detyra e pushtetit mediatik në një demokraci është të jetë protagoniste e opsionit të dytë. "Panorama"
A do të shkojmë nga llogoret në fundin e gazetarisë?
-
Enco Grimaldi12:36 - 26 Tetor 2011Shuqyr jarabishyqyr qe me ne fund doli nje gazetar te konstatoj semundjen me te madhe te viteve te demokracise.Semundja e medjatisteve do ta quaja.Sigurisht per ta pershkruar kete semundje mbase duhet gjate,por shkurt duhet te themi se shtypi yne eshte me i semure nga politika.Shtypi yne nuk ka bere asgje do thosha,ne krahasim me politiken.Perse.Ne rast se politika ne vitin 90 mori persiper te permbyste komunizmin,te lillte lirine per shqiptaret,mireqenjen,anetaresimin ne shume organizma nderkombetare,transportin etje,etj,qe per mua po te shikosh Shqiperine ku ka qene dhe ku eshte duhet te themi me plot gojen se eshte bere shume fare.Po vete shtypi yne i lire,cfare ka bere,per mua asgje.Ja pse .E para eshte vete futur neper strehime apo llogore te politikes,te njeres ane per te share bile edhe shpifur kunder politikaneve te pales tjeter.Edhe me bufin te pyesesh ne Shqiperi se me ke eshte ky apo ai gazetar ,te pergjigjet pa hezitim se eshte i Berishes apo i Rames.Se ashtu jane.Ne te gjitha rastet nxjerrin fajtor politikanet,sigurisht te pales tjeter dhe e bejne si ajo gruaja qe ankohej.E mjera une e mjera,duke i bere sevap botes,lashe burrin tim pa femije.Gazetaret duke bere fajtor politiken,harruan veten.Ketu shahet politika per ndarje te skajshme,por do pyesja a keni pare ndonje debat nge te cilet ka me teperi cdo nate,qe dy palet e gazetareve te bjen ne nje mendje.Sigurisht qe jo.Atehere kur nuk e gjejne dot emeruesin e perbashket keta qe vetem llafet ndajne midis tyre,si nuk u vjen turp dhe kerkojne nga politika,qe te gjej kete emerues ,e cila ne fund te fundit ndan pushtetin,rogat,e plot e plot te tjera privilegje.Fatos Lubonjen here e kam pelqyer shume e here jo,por kete radhe do ti thosha te lumte...