English

Haxhinasto përshëndet çlirimin e Libisë

Tiranë, 26 tetor 2011, NOA – Dy ditë pas shpalljes së çlirimit të Libisë nga Këshilli Kombëtar i Tranzicionit ka mbërritur edhe përshëndetja nga kreu i diplomacisë shqiptare. Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto përshëndet shpalljen nga Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, të Ditës së Çlirimit të Libisë, duke e cilësuar 23 tetorin si ditën që i dha fund regjimit autokratik të Moamar Gadafit. “Qeveria shqiptare ka mbështetur të drejtën legjitime të popullit libian dhe u rreshtua që në fillim përkrah koalicionit ndërkombëtar në mbështetje të popullit libian për përmbysjen e diktaturës së Gadafit”, thuhet në deklaratën e kryediplomatit Haxhinasto. Ai thekson më tej se në këto momente historike për popullin mik libian, Shqipëria është përsëri në krah të tij dhe përfaqësuesve legjitimë të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, në përpjekjet e tyre për pajtim kombëtar, dhe për një sistem të ri të ndërtuar mbi bazën e lirisë, drejtësisë e progresit. Ministri i Jashtëm shqiptar shpreh besimin dhe gatishmërinë e plotë për zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve e popujve. Çlirimi i Libisë u shpall pas vrasjes së kolonelit libian Moamar Gadafi, të enjten, në një aksion të rebelëve libianë i mbështetur nga forcat e NATO-s. Gadafi u vra në Sirte pasi autokolona e tij u godit më parë nga një avion i NATO-s. mit/NOA

KOMENTE