Nga Sazan Guri Importi i mbetjeve përbën një nga betejat më të ndjeshme për qytetarët e vendit, jo për të gjetur sebep të matesh me qeverinë, as për të qenë pjesë e lëvizjeve populiste, por realisht për të mbajtur qëndrimin e duhur, në kohën e duhur. Ka zëra, si grupe interesi (ato ricikluese) deri në zëra eksperti, që thonë se importi është vlerë, përfitim, hapje vendesh të reja pune, sikundër ka edhe zëra që thonë se jemi përballë faktit se në Shqipëri po na vijnë plehra, pra kthim në betejën e fituar njëherë e mirë të 2004-n. Por, ka edhe zëra që kanë shpalosur me program inxhinierik platformën ekologjike të forcës politike ekologjike shqiptare 1x1x1, që do të thotë se Shqipëria ka nevojë për masa të ashpra në mbrojtje të ciklit të jetës së shtetasit të vet, si rasti për asnjë metër kub mbetje importi sado e sofistikuar qoftë ajo (njëshi i parë), apo rasti për asnjë metër kub dru me pre, dhe njëshi i tretë për asnjë metër kub ndërtim brenda Unazës së Tiranës. Në këtë përplasje nuk e shoh të nevojshme të thërras memorien e mëparshme me terma si të ndalohet importi i plehrave për t’i ardhur në ndihmë së sotmes, sepse ky koncept më nxjerr jashtë sistemit të të luftuarit, sepse më mjafton projektligji i mbetjeve në fjalë me të metat që paraqet, për të konkluduar se importi sot nuk është vlerë, por dëm. Pse? do të pyesë dikush. Fillojmë! Projektligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane nuk ka pse të përfshijë në një nen të caktuar importin e mbetjeve. Asnjë shtet europian më vete, si dhe vetë BE-ja, nuk i ka bashkë këto dy lloj praktikash, që doemos kërkojnë ligje të veçanta e specifike. Projektligji në fjalë, pa nenin për importin e mbetjeve, është detyrë shtëpie për qeverinë shqiptare, që ende për 20 vjet nuk ka dashur, nuk ka mundur apo nuk ka ditur t’i trajtojë mbetjet urbane, veçse i ka flakur të hapërdara dhe i ka djegur në qiell të hapur. Vazhdojmë! Projektligji i paraqitur nuk shoqërohet me paketë financiare që të gatisë kostot për operacionet mbështetëse. Sekretariati i Konventës së Bazelit porosit që mbetjet e gjelbra, së pari i nënshtrohen një procesi zvogëlimi sa më të madh të mundshëm në burim, dhe më pas u nënshtrohen proceseve të riciklimeve sa më pranë të mundshme, sepse nuk janë rentabël për një kompani riciklimi, e kësisoj mbështeten nga shteti në formën e heqjes së taksave, TVSH-ve ose me kredi të ulëta deri në zero interes. Në këtë kontekst, varianti për sjellje mbetjesh nga larg lë shumë vend për dyshime, sepse një tjetër mbetje jo e gjelbër e bën transportin dhe riciklimin e mbetjeve të importit të leverdishëm. Vazhdojmë! Ligji për import mbetjesh nuk është detyrim dhe me të drejtë lind pyetja: pse ky nxitim për t’u marrë me mbetje nga jashtë dhe kjo shkujdesje për t’u marrë me mbetjet e tua nga brenda? Detyrim është që të ndajmë mbetjet në burim, të riciklojmë me hapa progresivë dhe t’i përpunojmë ato me metodologjitë e pranuara nga komuniteti. Vazhdojmë! Importi i mbetjeve të listës së gjelbër është karakteristikë për vendet me të njëjta teknologji apo standarde ekonomike, se jo më kot 99% e transportit të mbetjeve nga lista e gjelbër është midis vetë 25 vendeve të BE-së dhe 1% nga vendet jo të BE-së. Vazhdojmë! Vendet europiane, si kudo në botë, maten ose garojnë për nga niveli ekonomik se me sa për qind të mbetjeve riciklojnë, por të tyren, ama, pra kompanitë ricikluese quhen të tilla kur në plan të parë merren me mbetjet e vendit të tyre, dhe jo me ato të importuara, ndërkohë që kompanitë tona kërkojnë ta bazojnë aktivitetin e tyre me mbetjet nga jashtë. Vazhdojmë! Vendi ynë është akoma një shtet që nuk ka ende zyrë të Konventës së Bazelit, as zyrë të Konventës së Aarhuzit, akoma shtet që ka kompani pa programe të sistemit të menaxhimit të mjedisit – EMAS, akoma shtet që ka kompani ende të pacertifikuara me standardet mjedisore ISO 9001, 14001, akoma shtet me pika doganore kufitare pa laboratorë, pa skaner të mbetjeve radioaktive, pa skaner të mbetjeve të rrezikshme, pa ekspert mjedisi. Neni i importit të mbetjeve nuk doli si nevojë e një studimi gjeneral mbi mundësitë e përpunimit të mbetjeve të vendit dhe nevojës për lëndë të dytë për zhvillim ekonomik të vendit. Ne jemi në kushte që nuk kemi rregulluar ende infrastrukturën e duhur, qysh 8 vjet për ato 8 lloj mbetjesh (lecka, xham, qeramikë, goma, etj.) që hyjnë në territorin shqiptar. Në projektligj thuhet se kompanitë shqiptare, mbasi kanë trajtuar mbetjet e vendit me masën 20-30%, kapacitetin e plotë të tyre do ta plotësojnë me mbetjet e importit. Llogari e thjeshtë?! Ne prodhojmë një milion tonë mbetje në vit, që do të thotë se kompanive u lind e drejta që mund të sjellin nga importi proporcionalisht 4 milionë tonë në vit. Ç’ndodh!? Ne do të kemi 4 herë më shumë lëshime të mbetjeve në ajër, në tokë e në ujëra nga procesi i përpunimeve kimike si djegie etj. dhe me qindra herë më tepër, por jo, bie fjala, me qindra herë, realisht aq mbetje të ngurta që kërkojnë hapësirë tokësore për vend groposje. Çudia apo paradokset shqiptare. Ne nuk kemi ende vend-groposje për mbetjet bashkiake tona, por as gropa ekologjike për mbetjet inerte, por as gropa inxhinierike ekologjike për mbetjet minerare, por as gropa ekologjike për mbetjet elektronike, por as për vajrat e përdorura. Jo vetëm këto. Por, ne nuk kemi as ligje, apo projekt-dispozita të zbërthyera, e as statute e as rregullore deri më tash për këto lloj mbetjesh të vendit. Ato tani janë përpiluar si bashkëshoqëruese të projektligjit. Pra, mbasi t’i kemi e mbasi të formojmë një praktikë tonën dhe në standard europian, atëherë ulemi e flasim për mbetjet e importit. Vazhdojmë! Po e zëmë se do të vijnë këto mbetje. Po një vlerësim të ndikimit në mjedis e në shëndetin e qytetarëve nuk mund të kryesh para se të porositej një projektligj i tillë. Duke qenë se për 56 lloj mbetjesh mund të ngrihen 3-4 kompani ricikluese për secilën për to, që do të thotë një shpërndarje të tyre pranë pikave kufitare dhe në qytetet kryesore, pra një ndikim mbi komunitetin, pra, të paktën ai duhej informuar, formuar dhe duhet t’i merrej dora, sepse ai komuniteti po u bind të respekton, por ndryshe ai ka një të drejtë magjike, që është refuzimi. Këtë projektligji nuk e ka bërë, aq më tepër për nenin e importit të mbetjeve. Ja pse projektligji përbën atë që quhet vendimmarrje pa edukatë. Gjithsesi, për ca mund të ketë dhe vlerë importi i mbetjeve. Zgjidhja? Vlerë apo dëm, e thotë populli me intuitën e brendshme sipas një referendumi. Gazeta "Panorama"