Nga Adnan Abrashi
Sigurisht, ashtu siç kishte planifikuar për qëllime marketingu dhe të rritjes së imazhit në tregun komercial të edukimit arsimor privat, Kolegji ISPE, në Prishtinë, më 24.10. 2011, organizoi para studentëve të vetë një tribunë, me temën: “liberalizimi i vizave”, në të cilën, si panelistë ishin të ftuar: ministri i MPB, z. Bajram Rexhepi dhe ambasadori Francez në Kosovë, z. Jean-François Fitou. Por, sikur u tregua në fund, atyre ky tentim ju doli “kapuç me mangë”, siç thotë populli. Se sa ishte e madhe indinjata e organizatorit për këtë dështim të papritur, u pa edhe nga një reagim i tyre i ngutshëm, emocionues dhe aspak profesional, të bërë menjëherë pas përfundimit të atij aksionit protestues simbolik të lëvizjes VETËVENDOSJE!, nga e cila, më pas, nga ana e Policisë së Kosovës, u prangosën 8 aktivistë të saj. Duhet pranuar se tanimë opinioni ynë publikë është mësuar më, si me deklaratat e shumta “bombastike” dhe aspak serioze në opinion të ministrit Rexhepi, nga njëra anë, ashtu edhe me metodat origjinale protestuese ndaj situatës aktuale shoqërore dhe politike në Kosovë, të Vetëvendosjes. Por, ajo që më së shumti befasoj në këtë ngjarje, ishte deklarata tejet ofenduese e ambasadorit francez në Prishtinë, z. Jean-François Fitou, i cili kryesit të këtij aksioni protestues i cilësoi si “fashistë”. Maskat bien Ata që ndonjëherë kanë pasur rastin dikur gjatë kohës së pushtimit të Kosovës, të ftohen nga policia serbe në të ashtuquajtura “biseda informative”, e njohin shumë mirë taktikën e ndikimit “nxehtë-ftohtë” gjatë marrjes në pyetje. Pra, gjatë asaj “bisede informative” njëri nga zyrtarët policor përdor kërcënimin dhe dhunën ndaj bashkëbiseduesit, ndërsa, më pas, vjen tjetri duke tentuar që të përfitoj besimin tënd dhe të merr me të mirë. Mbase, një taktik të tillë, nga ana e ambasadorëve të shteteve të BE-së, kaherë po aplikohet edhe në nivelin diplomatik për ne kosovarët.. Është e ditur se gjithnjë në çdo ndërmarrje të rëndësishme politike të vendorëve, edhe kur disa nga këta ambasador janë pak sa më kritik, del njëri dhe haptas i përkrah. Bazuar në qëndrimet e gjertanishme të shpeshta pro kosovare, nga të gjithë ambasadorët e vendeve të huaja të akredituara në Kosovë, ky rol “balancues” diplomatik të sjelljes me të “ftohtë”, duket se si detyrë i ka takuar ambasadorit francez, z. Jean-François Fitou. Por, edhe pse shumica nesh deri më sot, qëndrimet e z. Fitou i kemi konsideruar si të sinqerta dhe konstruktive, me këtë deklaratë të fundin, atij sikur i “bien maskat”?! Pa dyshim, këtë veprim aspak diplomatik të z. Fitou, nuk duhet konsideruar si një qëndrim zyrtar të mikes tonë të madhe, Francës, por, vetëm si një “gaf” personal; veprim pa dashas i ambasadorit, sigurisht i nxitur nga një gjendje e pakontrolluar emocionuese. Andaj, në këtë kontest, si një qytetar i lirë i këtij shteti, z. Fitout. desha t’i them konkretisht disa fjalë. Disa fjalë pa prapavijë, pa keqkuptime dhe krejtësisht miqësore e dashamirëse: I nderuar z. ambasador, Fitou, Populli shqiptar i Kosovës, edhe kur ka qenë nën pushtimin e sunduesve të ndryshëm, gjatë të gjitha katrahurave të përjetuara në këto rrethana, gjithnjë, në rend të parë, ka tentuar ta ruaj sedrën dhe dinjitetin e vetë individual dhe kolektiv. Te ne, kësaj i thuhet në popull: “ta ruaj fytyrën”. Ai, shpesh në këtë skllavërim të mundimshëm ka mund ta duroj edhe dhunën dhe maltretimet e ndryshme fizike, por kurrë jo ofendimin haptas dhe përdhosjen e vlerave të veta morale që i disponon. E, nga të gjitha, më e ndjeshme për të ka qenë kur dikush i huaji ka tentuar padrejtësisht që në çfarëdo forme ta njollosi rininë e vet përparimtare; bartësen e përhershme të të gjitha ndryshimeve dhe fitoreve tona kah një e ardhme më e lumtur... E ju, z. ambasador, me atë deklaratë tuaj të famshme të bërë në një kolegj tërësisht komercial, sikurse është ai ISPE, se: “Kjo është Evropa e veriut 1943…është Bavaria … ky është fashizëm…Hitleri i vitit 1943 …” e fyet mu një pjesë të kësaj rinie e cila assesi nuk mund të pajtohet me demagogjitë të pareshtura politike të nihilistëve tanë servil vendor, nga njëra anë, dhe as me disa politika të dyshimta ndërkombëtare që kryhen më tepër prapa kulisave ndaj Kosovës, nga ana tjetër. T’i shitet një rinie (si dhe gjithë popullit të saj në përgjithësi) iluzioni naiv , sikur thuhet sipas zhargonit të popullit tim, “dushk për gogla”, kinse pas dy viteve do të kemi qarkullim të lirë pas viza nëpër Evropë, e, ne, realisht, sot, nuk po mundemi të qarkullojmë të lirshëm as në një pjesë të shtetit tonë sovran, nuk është gjë tjetër veçse më shumë se demagogji?!! Ata, pa marrë parasysh cilës partie politik i takojnë, përgjithësisht si rini revolucionare, janë uzdaja dhe krenaria e të gjithë neve; janë ata të cilëve ne ju besojmë se patjetër do të na shpijnë drejtë një së ardhmes më të mirë dhe më e lumtur; drejt ndërtimit të një Kosove vërtetë demokratike, të pavarur dhe sovran; të një shteti të tillë të mirëfilltë i cili në gjithë rajonin e më gjerë do të shërbej si shembull i paqes, sundimit të ligjit, dhe pa asnjë lloj kriminaliteti të organizuar. Janë pra ata të cilët në këtë nisëm të guximshme të tyre, e kanë edhe mbështetjen tonë. Andaj, ta quash këtë rini të shëndetshme si “fashizoide” është ofendim i rëndë edhe për ne të tjerët, z, ambasador! Por, meqë në këto momente shumica nesh beson se ky veprim i juaji ka qenë euforik dhe i ndikuar nga momenti emocionues i rastit, UROJ që përmes një kërkim-faljeje publike, së paku si kurtuazi, ta përmirësoni këtë gaf ! NOA