English

KQZ nis sot djegien fletëve të votimit të 8 majit

Tiranë, 26 tetor 2011, NOA – Pas skadimit të afatit të lënë për Prokurorinë që kjo e fundit të niste hetimin mbi fletët e votimit tepër, të gjetura në kutitë e Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vërë në jetë sot vendimin e marrë në shtator për të zbrazur kutitë e votimit dhe të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve vendore të 8 majit e djegur më pas dokumentacionin e tyre. Ky afat ishte lënë që Prokuroria të hetonte bazuar mbi akuzat e opozitës, që ka deklaruar se zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës janë manipuluar duke futur më shumë fletë se zgjedhës për zona të ndryshme. Por, nëse djegia e fletëve të votimit të 8 majit do të vihet në jetë atëherë edhe odiseja e akuzave të opozitës do të mbetet vetëm në llojin e akuzave të hedhura e të pazbardhura nga Prokuroria. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Leonard Olli bëri me dije se KQZ, sipas ligjit, ka marrë të gjitha masat që procesi i djegies së fletëve të votimit të zgjedhjeve të 8 majit të kryhet deri më 31 dhjetor. Fletët e votimit do të digjen sipas qarqeve, njëri pas tjetrit. Nga magazinat e KQZ-së në Lundër, fletët e votimit do të dërgohen për t’u djegur përfundimisht pranë vendit të asgjësimit, në Erzen. KQZ do të shpenzojë një fond prej 54 milionë lekësh për këtë proces, ku do të përfshihet edhe lënda djegëse e përdorur më herët, benzina. Ky veprim i KQZ-së pritet të sjellë reagime nga opozita. mit/NOA

KOMENTE