Nga Eno Bozdo Ndërsa dëgjoja konferencën e shtypit të z. Rama dhe qëndrimin e tij mbi projektligjin e shumëdebatuar të mbetjeve (emërtimi i saktë është “ Mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve”), nuk mund të mos ndieja keqardhje për mënyrën se si po menaxhohet politikisht një temë dhe reformë shumë e rëndësishme, ajo e mbetjeve dhe menaxhimit të tyre në Shqipëri. Besoj se kjo temë mbart për të gjithë ne që jetojmë në këtë vend një rëndësi të veçantë, sepse duke filluar nga kryeqyteti ynë e deri në çdo fshat, komunë, rrjedhë ujore, liqen apo det, mbetjet na dalin përpara dhe provokojnë gjithnjë një ndjenje sa shqetësuese, aq edhe revoltuese. Me pak fjalë, dua të shpreh se kjo çështje është problematike për ne të tërë, aq problematike dhe aq e rëndësishme saqë realisht do të jetë fatkeqësi po të përdoret si kalë lufte, apo si “casus belli”, për të “treguar” se qeveria është e interesuar ta mbushë vendin me “plehra” dhe se opozita po lufton ta “shpëtojë” vendin nga “plehrat! E pra, kjo ishte përshtypja pa ekuivok që z. Rama u la të gjithëve në konferencën e tij të shtypit. Dhe me siguri, duke njohur edhe rekordet e tija të mëparshme, këtë gjë do ta kthejë në realitet. Z. Rama dhe partia e tij do të luftojnë të bllokojnë projektligjin (pikërisht atë që bllokoi pa asnjë arsye të qenësishme Presidenti), sepse sipas tyre, ky projektligj “hap derën për kthimin e Shqipërisë në një vendgrumbullim plehrash si dhe nxit trafiqet e mbeturinave deri te kontrabandimi i mbetjeve radioaktive”. Qëndrim shumë i fortë dhe shprehje shumë të ashpra, të cilat meritojnë një analizë të thellë! Z. Rama, i cili vjen me një dështim të plotë në menaxhimin e mbetjeve për Tiranën dhe me akuza të shumta për kontrata korruptive me kompanitë e kontraktuara për pastrimin e kryeqytetit, është nën këtë optikë, individi i cili duhet të ulte kokën dhe të turpërohej me rezultatet e punës së tij. Por një gjë e tillë është e tepërt për ta kërkuar nga ai, pikërisht në këtë kohë parakongresiale. Së pari, duhet thënë me zë të lartë dhe me forcë se i gjithë kuadri ligjor që sot kemi në fuqi, i ka hapur derën importimit dhe përpunimit të mbetjeve që në fillimin e viteve 2000, dhe projektligji i ri nuk e ndryshon as edhe një germë të vetme këtë gjë. Përkundrazi, ai detajon shumë herë më mirë procedurën dhe kontrollin e procesit, duke mundësuar thelbin e mekanizmit ekonomik për të tërhequr investitorët privatë, për të cilin do të flas edhe më poshtë. Pra, kuadri ligjor i sotëm lejuaka pikërisht dhe ekzaktësisht të njëjtën gjë që synon edhe projektligji ynë, dhe është votuar kur Partia Socialiste ka qenë në pushtet, me votat e saj si maxhorancë e atëhershme! Ndërkaq, z. Rama ngarkon eksponentët e kësaj partie të ndërtojnë “casus belli” me qeverinë, pikërisht ata politikanë që në kohën kur këto ligje votoheshin, mbanin detyra të rëndësishme në kabinetin qeveritar të asaj kohe, por edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Deri më sot nuk i kemi dëgjuar kurrë këta ofiqarë të lartë të PS-së të shpreheshin kundër ligjeve që kishin miratuar. Çfarë ironie! Por supozojmë që ligjvënësit e atëhershëm qenkan penduar për këtë gabim, dhe tani po luftojnë ndershmërisht për të korrigjuar gabimin e tyre. E pra, nga këta eksponentë të PS-së do të kishim nevoje së paku për një kërkim publik faljeje ndaj qytetarëve të këtij vendi, sepse ata miratuan disa ligje, të cilat (sipas vetë z. Rama) u paskëshin “hapur derën” mbetjeve të rrezikshme radioaktive, duke e kthyer vendin në “depozitim plehrash”. Ky do të ishte së paku një hap i parë për të gjykuar nëse z. Rama dhe njerëzit e tij po e trajtojnë ndershmërisht këtë çështje, apo po luajnë me tezën e “populizmit” për të fituar mbështetje në opinion, pavarësisht kostos që ka kjo për vendin. Së dyti, argumenti i dhënë nga z. Rama se me këtë projektligj po u hapet dera “plehrave nga e gjithë bota” dhe se vendi rrezikon të kthehet në “varrezë radioaktive” është foshnjarak dhe i djallëzuar në të njëjtën kohë. Është foshnjarak sepse si është e mundur që deri më sot nuk ka ndodhur një gjë e tillë, kur rreziku qenka kaq real dhe i pranishëm? Transporti i mbetjeve është ndër transportet shumë të survejuara, i cili njësoj si p.sh. ai i barnave, gjurmohet në mënyrë specifike. Për të hyrë në territorin e RSH nevojitet, rast pas rasti, një licencë e veçantë nga Këshilli i Ministrave. Pra, siç shikohet, mekanizimi këtu është plotësisht i shtrënguar dhe nuk mund dot të gjesh “çarje”. Është e paimagjinueshme që Këshilli i Ministrave të votojë, ditën për diell, kundër interesit qytetar dhe në kundërshtim me ligjin! Por, nëse z. Rama i referohet mundësisë për të kontrabanduar mbetjet, qofshin këto edhe radioaktive, atëherë edhe bufi e kupton se kontrabanda nuk ndalet edhe nëse z. Rama do të arrijë të bllokojë projektligjin e ri. Madje, edhe nëse ne me anë të një ligji të veçantë do të bllokonim hyrjen në territorin tonë të të gjitha llojeve të mbetjeve. Kontrabanda nuk ka nevojë për kuadër ligjor, ajo mund të ndodhë në çdo kohë. Tashmë supozojmë se dikush është i prirë për të kontrabanduar, me apo pa ekzistencën e këtij ligji. Supozojmë gjithashtu se dogana shqiptare apo doganierët nuk kanë mundësi/aftësi teknike për të kuptuar nëse ngarkesa fsheh mbetje të rrezikshme apo jo. Ky shqetësim është i kuptueshëm, por aspak realist! Shteti shqiptar u ka besuar autoriteteve doganore, Policisë se Shtetit, agjencive të specializuara, luftën kundër narkotrafiqeve, shumë herë më të thjeshta për t’u transportuar dhe shumë herë më të vështira për t’u zbuluar sesa ngarkesat e mbetjeve. Si është e mundur të aludojmë të kundërtën për mbetjet, të cilat në çdo rast do të kërkonin transport të volumeve qindra herë më të mëdha dhe mijëra herë më të dukshme për të realizuar trafikun apo kontrabandën? Por kjo logjikë është edhe djallëzore gjithashtu. Duke shfrytëzuar faktin se opinioni publik nuk njeh detajet dhe specifikat teknike të ligjit, z. Rama ka vendosur të luajë populistin, duke luajtur me frikën emocionale të qytetarëve. Kaq e vërtetë është kjo, sa edhe një panel i mbledhur së fundi, ku supozohet të ketë individë të mirinformuar, foli në emër të frikës dhe ishte i mbushur me paragjykimi mbi të gjithë procesin. Roli i këtij paneli mbetet për t’u parë, d.m.th. nëse ai do të përfaqësojë vërtetë zërin e qytetarëve apo do të bëhet shtojcë e z. Rama në “casus bellin” e tij. Por që ky panel të arrijë të nxisë një debat të vërtetë publik, më së paku duhet të informojë në mënyrë korrekte faktet dhe të vërtetat e këtij procesi. Së treti, duhet të kuptojmë një herë e mirë që sot jemi në një pikë ku kërkohet reformë në sektorin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Pjesë shumë e rëndësishme e kësaj reforme është ky projektligj, sepse ai për herë të parë nxit mekanizmin e investimit nga sektori privat në përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve. Duhet të kuptojmë përfundimisht se mbetjet nuk mund t‘i luftojmë me bllokime apo me mbyllje përfundimtare kufijsh. Ato duhet t‘i trajtojmë si një oportunitet ekonomik dhe mjedisor, siç bëjnë sot vendet më të zhvilluara të botës. Duke nxitur këtë mekanizëm, ne do të ndihmojmë edhe sektorin ekonomik, punësimin, duke ruajtur në të njëjtën kohë standardin mjedisor. Dhe kështu mund të eliminojmë (madje të përfitojmë ekonomikisht, në të njëjtën kohë) më shumë se 70% e mbetjeve, duke përdorur fushëdepozitimet e mbetjeve vetëm për ato kategori mbetjesh, të cilat nuk mund të riciklohen. Por, nëse interesi i sektorit privat nuk do të ekzistojë, atëherë edhe ky mekanizëm do të dështojë. Sidoqoftë Shqipëria, për shkak të ekonomisë së shkallës, është ndoshta e pamjaftueshme për të tërhequr industri të tilla me teknologji vërtetë të përparuar dhe shumë promjedisore. Për këtë arsye duhet lejuar importi i mbetjeve vetëm për qëllim përpunimi dhe riciklimi, dhe mbi të gjitha, vetëm kur të demonstrohet se mbetjet e vendit janë ricikluar plotësisht dhe se ato janë më të pakta se kapaciteti përpunues i industrisë. Kjo është e vërteta mbi mekanizmit ekonomik, dhe këtë gjë parashtron dhe mundëson edhe projektligji në fjalë. Por, këto argumente teknike vështirë se do të ndryshojnë diçka në sjelljen e opozitës. Z. Rama nuk kërkon të debatojë për mbetjet dhe as për mënyrën më të mirë për t‘i menaxhuar ato. Nëse vërtetë do të ishte i interesuar, do ta bënte këtë në Tiranë, gjatë dekadës që qëndroi si kryetar i kësaj bashkie dhe dështoi plotësisht. Ai thjesht kërkon një “casus belli” për ta venë në pozitë të vështirë qeverinë, duke luajtur shëmtuar me populizmin tipik. Prandaj, duke e lënë mënjanë në retorikën e vet z. Rama, duhet të iniciojmë një debat të vërtetë mbi këtë çështje, për të sqaruar një herë e mirë pozicionin dhe argumentet e palëve. Opinioni ynë publik e meriton këtë gjë! Gazeta "Panorama"