Tiranë, 26 tetor 2011, NOA - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjobit me 30 milonë lekë të reja operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, CEZ Shpërndarje. Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë ka ardhur pas futjes së mjeteve matëse (sahatët) të paverifikuar përpara përdorimit dhe moszbatimit të ligjit për bashkëvulosjen e morseterisë së aparatit matës. Në njoftimin për shtyp të METE thuhet se, edhe pas takimeve të shumta me përfaqësues të CEZ-it, nuk është marrë asnjë masë nga këta të fundit. Pas ankesave të shumta të konsumatorëve në METE dhe pas verifikimeve të DPM për aparatet matëse, drejtuesit e METE dhe DPM vendosën ditën e sotme penalizimin e kompanisë CEZ. “Paralajmërimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është i qartë: Nëse CEZ nuk merr masa të shpejta dhe të menjëhershme për rregullimin e situatës dhe zbatimin e ligjit, penalizimet nga METE do të vijojnë edhe më të forta”, përfundon deklarata e kësaj ministrie. a.q/NOA