English

Përmbytje në veriun e Italisë

Toskana, 26 tetor 2011, NOA - Sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike financiare që ka përfshirë Italinë, veriu i vendit prej mesnatës së të martës është goditur nga moti i keq me përmbytje, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Situata e përmbytjeve ka shkaktuar deri më tani pesë të vdekur në provincat e Spezzino-s dhe Lunigian-ës si dhe tetë të zhdukur. Trupi i pestë i pajetë, bëjnë të ditur mediat italiane, u gjet në zonën e Aulla-s, e njohur si Massa Carrara. Departamenti i Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar një tjetër ditë të rëndë përmbytjesh për veriun e Italisë. Në epiqendër të përmbytjeve, këtë herë, do të jenë kryesisht zonat e Veneto-s dhe Friulit. Ndërkohë që sipas ekspertëve të parashikimit të motit nesër parashikohet të këtë mot të keq edhe në rajonet qendrore të Italisë. Forcat e emergjencës janë vënë në alarm në kryeqytetin italian për ardhjen e motit të keq duke paralajmëruar edhe strukturat dhe sipërmarrjet publike. Autoritetet e emergjencës civile, përfaqësuesit e punëve publike janë mbledhur në sallën operative të Mbrojtjes Civile në kryeqytet. Ata i bënë thirrje popullsisë së zonave të goditura nga përmbytjet që të qëndrojnë larg zonave ujore, urave, si dhe të mos ndërmarrin udhëtime për shkak të motit të keq. Bëhet me dije se në Aulla janë evakuuar afro 300 persona, ku 50 syresh janë shpëtuar nga forcat e emergjencës, të shpërndara nëpër zonat e përmbytura me gomone. mit/NOA

KOMENTE
  • Enco Grimaldi09:34 - 26 Tetor 2011
    keqardhje per miqte tane italian.Uroj ta kalojne me sa me pak deme