Tiranë, 26 tetor 2011, NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sot, vendimet për dhënien e kontributit financiar në ndihmë të tre vendeve, të prekura nga katastrofat natyrore. Në mbledhjen e kësaj të mërkure u miratua dhënia e ndihmës financiare prej 100 mijë dollarë Turqisë, në lehtësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i pak ditëve më parë. Gjithashtu u miratua dhënia e ndihmës financiare prej 100 mijë dollarë Pakistanit, në lehtësimin pasojave të shkaktuara nga përmbytjet në këtë vend. Këshilli i Ministrave miratoi edhe dhënien e ndihmës financiare prej 50 mijë dollarë për vendet e Bririt të Afrikës: Somali, Etiopi, Xhibuti, në ndihmë të popullsisë së këtyre vendeve të prekur nga një varfëri e thellë, si pasojë e thatësirës së tejzgjatur në këto vende. Me këtë kontribut, Shqipëria i bashkohet thirrjes për solidaritet ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kapërcimin e emergjencës humanitare në këto vende. a.q/NOA