Tiranë, 27 tetor 2011, NOA- Një operacion i policisë i koduar “Clean” ka bërë të mundur arrestimin pas një viti hetim të një biznesmeni 29 vjeçar i cili akuzohet për përvetësim parash në mënyrë të paligjshme dhe pastrim parash. Polica e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, finalizuan me sukses operacioni policor në kuadër të të cilit u bë arrestimi i biznesmenit Vaid Tarja, 29 vjeç, banues në Tiranë, pronar i shoqërive “U&E MANAGMENT”, “ALBA-CLEAN”, dhe “SILVIO”.
Mësohet se ky shtetas, akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të kompetencave”, “Fshehjes së të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme, duke konsumuar kështu dhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë ushtrimit të veprimtarisë të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k. në shtator të vitit 2010 është realizuar një shitje në një vlerë prej 3.705.555 USD, shitje kjo e padeklaruar në organet tatimore. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se fshehja e shitjes ka qenë e qëllimshme për mosdeklarimin e të ardhurave, duke iu shmangur kështu dhe detyrimeve tatimore.
Shuma prej 3.705.555 USD rezultoi që të jetë tërhequr nga shtetasi Vaid Tarja, nga llogaritë bankare të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k, duke qenë dhe në detyrën e administratorit të kësaj shoqërie. Të gjithë këtë shumë të përfituar në mënyrë të paligjshme ky shtetas ka tentuar të investojë në biznese të ligjshme, duke krijuar dhe Shoqëri të ndryshme. Në përfundim të hetimeve të kryera, materialet në ngarkim të shtetasit Vaid Tarja i kanë kaluar Gjykatës së Elbasanit, e cila bazuar në materialet e grumbulluara, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa policia ka kryer arrestimin e biznesmenit Tarja.
a.y/NOA