English

Berisha: Gati të punojmë me opozitën për integrimin

Tiranë, 27 tetor 2011, NOA- Kryeministri Berisha ka përsëritur sërish sot gatishmërinë për bashkëpunim vullnetmirë me opozitën dhe të gjithë faktorët e tjerë në çuarjen përpara të procesit të integrimit europian dhe reformave të nevojshme në këtë drejtim.

Në këtë linjë ai uroi që i njëjti vullnet do të konkretizohet edhe nga opozita në mënyrë që vendi të përmbushë objektivat strategjik të integrimit europian.

Këto fjalë kreu i qeverisë shqiptare i tha gjatë takimit që zhvilloi me Luca Volonte, anëtar në Parlamentin Italian, si dhe President i Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe anëtar i Komitetit Presidencial të kësaj Asambleje.

Gjatë takimit Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e zotit Volonte, si dhe nënvizoi si arritje të rëndësishme zgjedhjen e zotit Jean-Claude Mignon si President të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kryeministri vlerësoi rolin e Këshillit të Europës dhe u ndal në mënyrë specifike në kontributin që KE dhe institucionet e tij mund të japin, pas pranverës arabe, në vendet e Magrebit dhe të lindjes së afërme. Kryeministri theksoi se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një horizont të ri shprese, lirie, demokracie dhe progresi dhe se vlerat e KE mund të shërbejnë si një model për progresin demokratik të këtyre vendeve.

a.y/NOA

KOMENTE