Nga Artan Lame Është shumë e vështirë të jesh shkrimtar i madh dhe njëkohësisht shkrimtar i rreshtuar. Rreshtimi politik bën që, ndërsa ata të rreshtit tënd t’i gëzojë fakti, ata të rreshtit tjetër të të shohin me dyshim e me pa dashje. Dritëroi më rezulton të jetë i vetmi shkrimtar që, jo vetëm të ketë shpallur botërisht kredon e tij politike, por edhe të ketë milituar për atë kredo, e madje deri vonë në kohë të demokracisë, e megjithatë të mos ia kenë shkulur dot apelativin “i madh”.
Ndo njëqind metra pa shkuar në fund të rrugës “Qemal Stafa”, gjendet një dyqan i stërvockël librash të vjetër, ku kohë pas kohe shkoj e rrëmoj gjithë qejf. Një nga huqet e mia është se më pëlqen që librat që ia vlejnë, t’i lexoj sa të jetë e mundur në variantin origjinal apo në botimin e parë fare, se ja, thomëni ju, a mund të shijohet Migjeni kur ulërin për mjerimin, i botuar në një lidhje prej letre të shtrenjtë me kapakë të trashë me germa ari! E bukura e tij, që të bën ta kuptosh me themel, është kur e lexon në atë letrën e ashpër e të zverdhur, me anë të paprera mirë të viteve ’30, e të lidhur me kapëse teli të ndryshkura.
Nejse, që të kthehem në temë, së fundmi gjeta tek ai bukinisti i rrugës “Qemal Stafa” edhe botimin origjinal të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”. E mora gjithë qejf dhe, që atë mbrëmje, i hyra rileximit të kujdesshëm. Them “rileximit”, se natyrisht që në adoleshencë e kemi lexuar, por vë dorën në zjarr në kemi kuptuar gjë. Duhet që çdo njëzet vjet t’i rilexojmë nga fillimi të gjitha librat që kemi kënduar në jetë. E në qofshin shumë, të paktën ata më të rëndësishmit e themelorët. Ndër librat tanë, Shoku Zylo i Dritëroit bën pjesë ndër ata që patjetër do kënduar sa herë ndërrojnë qeveritë a sistemet.
Edhe kësaj radhe, sa më shumë u hyja faqeve thellë, aq më shumë thosha me vete, ore vërtet janë shkruar këto gjëra në ato vite, në kulm të terrorit mbi artistët e shkrimtarët, a si është kjo punë. Erdhi një moment që, megjithëse i sigurt, ktheva kapakun e librit për t’u siguruar që botimi ishte i vjetër e jo ndonjë botim i vonë. Jo, në rregull isha, aty mbi kapak shkruhej “Tiranë 1973”. Po ju sjell vetëm pak radhë nga faqja 234: “Kemi disa shembuj negativë lidhur me mirëmbajtjen dhe trajtimin e monumenteve kulturore. Janë dëmtuar rëndë apo shkatërruar hamamet e lashta, si hamami i Krujës. Janë në gjendje të mjeruar kisha e vjetër e Perondisë dhe xhamia e Muradijes në Vlorë. U zhduk nga faqja e dheut kisha e vjetër e Vaudejës, ku ka dhënë meshë edhe Ndre Mjeda...”. Paragrafi është i gjatë, shumë i gjatë, mbi gjysmë faqe, dhe vazhdon të rreshtojë edhe një varg monumentesh të tjera që po shkatërroheshin. E pabesueshme! Këto radhë shkruheshin bash kur feja, besimi e institucionet e tyre ishin zhdukur, kur vetëm dy vjet më pas një prift do të pushkatohej për një shërbesë fetare të fshehtë, kur ishte në kulm lëvizja për “revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit”, kur sapo kish filluar të zbulohej një “komplot i rrezikshëm në letërsi e arte” që do të hante shumë koka, kur... Dhe për më tepër, Dritëroi përmend jo një kishë e aq, por bash kishën katolike të Vaut të Dejës, e cila ishte hedhur në erë me urdhër personal të vetë Mehmet Shehut!
Tani në kohë të demokracisë janë të shumtë ata që përbetohen të kenë qenë disidentë, kur duken që atje tej se kanë qenë sahanfshirës. S’u vë faj për punë të sahanëve se e tillë ish koha por, që të përbetohen sot për disidencë kjo s’hahet, ndaj si beson njeri. E ndërkaq i vetmi që përbetohet se nuk ka qenë disident është Dritëroi, por edhe këtë se beson njeri. Duke u zhytur në faqet e librit të tij, m’u shtua edhe më shumë mosbesimi në përbetimet e Dritëroit.
Jo rrallë e kanë krahasuar shokun Zylo me don Kishotin. Në fakt, mbaj mend se kur e kam lexuar për herë të parë Zylon në adoleshencë, isha vazhdimisht i dyzuar. Nuk arrija të kuptoja nëse ai ishte personazh i mirë a i keq. Nga fjalët që thoshte, veprimet që bënte, më dilte burrë i mirë, ndërsa nga roli që i ishte dhënë duhej të ishte i keq. Dritëroi ia del që një personazh të tillë, që bën deklarata si ajo që citova më sipër, ta mbajë gjallë deri në faqen e fundit dhe, të gjithë këtë, edhe ta botojë.
Në fakt, është pikërisht ajo që ndodh edhe me don Kishotin. Nga roli që shihet në pamje të parë, është një reaksionar i rrjedhur nga mëntë, ndërsa nga qëllimet që ka dhe ato çka thotë e arsyeton, është krejt tjetër. Dhe ashtu si tek idealisti don Kishot që ka vazhdimisht pranë realistin Sanço, edhe shoku Zylo ka pranë Demkën, që kohë pas kohe e sjell në vete dhe e ul në tokë. Dyshja e dalë nga pena e Servantesit ishte termometër i shoqërisë dhe sistemit spanjoll në krizë në kohën e vet. Vështirë që dyshja e Dritëroit të mos jetë krijuar për të njëjtin qëllim: termometër i krizës së sistemit në një tjetër kohë dhe në një tjetër vend ose, e thënë në mënyrë përgjithësuese, kriza e përjetshme e sistemeve, që pasi ezaurojnë fuqitë e brendshme, kërkojnë të mbahen në këmbë falë të shkuarës së tyre. Magjia e Servantesit dhe e Dritëroit është që ia dalin që këtë analizë ndaj të shkuarës në krizë, ta bëjnë përmes një përfaqësuesi të ndritur të po asaj të shkuare. Eh sa kollaj do të bëhej kjo punë, duke i kundërvënë të shkuarës së pluhurosur një djalosh të ri e revolucionar që përleshet llërë përveshur, por jo, këta autorë e bëjnë këtë përmes plakut të mirë e idealist don Kishot dhe zyrtarit të ndershëm e po aq idealist Zylo.
Një gjë që e mendoj gjithmonë kur lexoj analiza e interpretime rreth shkrimtarëve të ndryshëm, është mor po a vërtet këtë që thuhet ka dashur a ka menduar autori, apo mos ia futin kot këta kritikët. Se, mirë po qe gjallë që mund ta marrim në telefon e ta pyesim, por kur nuk e kemi më në këtë botë si i bëhet. Fati, Zoti, rakia e mirë dhe balta e Devollit, kanë bërë që Dritëroin ta kemi gjallë e ta pyesim sa herë të duam për ato çka shkruar mbi letër apo menduar ndën të. Por kjo do ishte shumë e thjeshtë, se shkrimtarët e mëdhenj nuk shkruajnë për t’u dhënë shpjegime vetëm atyre që kanë përreth, por veçan për ata që do të vijnë më pas.
Përtej analizave e studimeve të stërholluara, njerëzia e thjeshtë kanë një kandar të tyrin për të peshuar gjurmën e të mëdhenjve: i fiksojnë me emra që identifikohen pa mbiemra. Edhe Dritëroi e ka arritur këtë peshë në kandarit të popullit të vet. Le të shtojmë ç’të duam ne “me shkollë”, daç për mirë e daç për keq, s’ngre më shumë në kandar. Gazeta "Shqip"