Tiranë, 27 tetor 2011, NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ka njoftuar se është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Giuseppe Simonelli, vjeç 32, lindur në Tropea/Itali.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, i dyshuar si pjesëmarrës i një organizate kriminale që ka pasur si qëllim trafikimin ndërkombëtar të sasirave të konsiderueshme të lëndës narkotike e llojit kokainë, nga vendet e Amerikës Qendrore dhe të Jugut në drejtim të shtetit italian.
Arrestimi i tij u realizua më datë 04 gusht 2011 në Vlorë, në kuadër të operacionit të koduar “Due torri conection” i realizuar nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë Italiane, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë.
a.q/NOA