English

Fashizmi, apo ambasadori që fsheh fajin e ministrit

Nga Arbër Zaimi Fjalët që ambasadori francezPrishtinë, Jean François Fitou, i shqiptoi para kamerave, e meritojnë një vëmendje të veçantë. I nervozuar prej një proteste paqësore qytetare, nga ato që ndodhin vazhdimisht në vendet e qytetëruara (e më së shpeshti në Francë, për shkak të kulturës së protestës që është kultivuar atje), ambasadori akuzoi aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” duke thënë: “Kjo është Europa e vitit 1943, ky është fashizëm. Vendi im, Franca dhe Europa nuk e pranojnë këtë frymë. Kjo është Bavaria. Ky është Hitleri i vitit 1943. Kosova nuk ka nevojë për këto gjëra, vendi im nuk ka nevojë për këtë dhe as Europa”.

Janë fjalë të rënda, fjalë që ofendojnë intelektin e një lëvizjeje politike e cila shprehimisht dhe haptazi e merr frymëzimin edhe prej betejave civilizuese e emancipuese antifashiste, të cilat janë ndërmarrë e po ndërmerren edhe sot prej shumë popujve në botë. Mirëpo, ndoshta Fitou nuk e ka menduar kështu. Ai nuk e ka kursyer etiketën “fashist” për anëtarët e “Vetëvendosje”, ashtu siç nuk e ka kursyer as krahasimin derogativ maksimal, atë me Hitlerin. Sot kanë kaluar dy ditë, dhe ende ambasadori nuk e ka sqaruar se çfarë nënkuptoi me atë që tha, nuk ka kërkuar as falje publike, kështu që na mbetet ne të analizojmë metaforat kaq të përzgjedhura të Monsieur Fitou-së.

Përse thirret në Bavarinë e 1943 zoti Fitou? Ai vit ka qenë vit i gjatë e i stërmbushur me ngjarje, qoftë edhe për një vend jo tepër të madh, si Bavaria. Megjithatë, me aq sa e njoh unë historinë politike, kam përshtypjen se ambasadori i referohet ngjarjes së shkurtit 1943, kur në Mynih të Gjermanisë, nazistët ekzekutuan anëtarët e grupit paqësor anti-nazist të quajtur “Trëndafili i Bardhë” (die Weiβe Rose). Vetë ambasadori duhet ta dijë mirë se cilët ishin nazistët e ç’raport kishin ata me pushtetin, e po ashtu duhet t’i njohë edhe metodat e qëllimet e grupit “Trëndafili i Bardhë”. Këta të fundit ishin një grup që si aktivitet kryesor kishin shpërndarjen e fletushkave (ndoshta fletushkat ju kujtojnë diçka, apo jo zoti ambasador?), ndërkohë që kishin si parim të mos angazhoheshin në terrorizëm, por t’i rezistonin pushtetit totalitar vetëm me aksione simbolike (cili grup në Kosovë bën veprime të ngjashme sot – pyetje e lehtë dhe kjo, për një diplomat). Po të njihemi mirë me historinë e “Trëndafilit të Bardhë”, anëtarët e të cilit u shtypën nga pushteti totalitar nazist, ndoshta të gjithë do të vinim re se metafora e ambasadorit francez vlen vetëm për së mbrapshti. Këtu pushtet abuziv e shtypës nuk ka “Vetëvendosja”, po tjetërkush, ndërsa ata që bëjnë rezistencën paqësore – u futën në burg. Ndoshta, nga nxitimi, ambasadori Fitou ka ngatërruar referentët në metaforën e tij, e pa dashje i ka thënë fashist qytetarit që përpiqet të mos viktimizohet para pushtetit abuziv, ndërkohë që vetë pushtetin (ministrin) e ka krahasuar me viktimat.

Lexuesi padyshim që ka qenë i vëmendshëm ndaj letrës së protestës ndaj ministrit Bajram Rexhepi, që e lexoi aktivisti i “Vetëvendosjes” gjatë aktivitetit ku ndodhi “incidenti”, kështu që nuk ka nevojë ta citojmë këtu atë letër. Por, për hir të ruajtjes së një relate të drejtë me historinë, po citoj disa rreshta nga një prej fletushkave që shpërndante në Gjermaninë naziste grupi anti-nazist “Trëndafili i Bardhë”: “A nuk i vjen turp nga qeveria e vet secilit gjerman në këto kohë? Cilët mes nesh arrijnë ta përfytyrojnë përmasën e stërmadhe të turpit që do të na mbulojë ne dhe fëmijët tanë kur të vijë dita e të na hapen sytë – kur krimet e tmerrshme, krime që dalin jashtë çdo mase njerëzore – të dalin në dritën e diellit?”. Me sa duket, edhe viktimat e nazizmit që na rikujtoi Fitou, ashtu si çdo akt tjetër i protestës ndaj shtypjes, kanë denoncuar publikisht brutalitetin dhe arrogancën kriminale të qeverisë së vet asokohe. E tash dikush mund të ngrihet e të thotë se askush nuk ka të drejtë të protestojë ndaj një qeverie të zgjedhur, mirëpo le të mos harrojmë, meqë flasim për nazistë e fashistë, që edhe këta të fundit (përfshi Hitlerin) kanë ardhur në pushtet me votë.

Referenca e ambasadorit ndaj ngjarjes së Bavarisë në 1943 duket e paqartë, çfarë po nënkupton ai me të? Mos vallë po i këshillon qeveritarët të na trajtojnë siç u trajtuan aktivistët e “Trëndafilit të Bardhë”? Nuk e besoj këtë, se kjo do të ishte tepër për një ambasador, detyra e të cilit do të ishte të përfaqësonte sa më mirë interesat e vendit të vet tek një vend mik e te një popull mik. E meqë vendi i vet është Franca, vend i emancipuar, që ka rezistuar gjatë e fort kundër fashizmit e nazizmit, vend që ka themeluar republikën duke përmbysur ashpër tiraninë e autoritarizmin, vend që ka hequr dorë edhe prej kolonializmit si praktikë shfrytëzuese e shtypëse, ma merr mendja se interesat e saj për Kosovën do të qenë pikërisht në mbështetje e në promovim të këtyre vlerave.

Po të jemi dashamirës ndaj ambasadorit (e pse të mos jemi, në fund të fundit ai s’na bëri asgjë përveçse na ofendoi me fjalët më të rënda që mund të përshkruajnë një krim politik), mund edhe ta harrojmë këtë metaforën bavareze dhe mish-mashin që vjen prej relacionit bijektiv me realitetin kosovar. Mirëpo, nuk mund ta gëlltisim lehtë atë fjalën “fashist”, sepse ajo vulë vështirë se përdoret pa dashje, sidomos nga një person që i përket stafit diplomatik të një vendi të njohur për përgatitjen serioze që i jep administratës dhe burokracisë së vet.

Askush nuk mund të supozojë se Fitou nuk e di mirë se ç’është fashizmi e ç’janë fashistët. Duke qenë folës i një gjuhe neolatine, Fitou ia di dhe etimologjinë fjalës, pra e di se ç’do të thotë fascis, sëpatat e lidhura që mbanin liktorët romakë, truprojat e magjistërve. Fascis simbolizon rojën e pushtetit shtetëror pra, si dhe aftësinë e këtij pushteti për të ekzekutuar kundërshtarët e vet apo qytetarët e pabindur. Liktorët, mbajtësit e fashave, jo vetëm që i hapnin rrugën magjistrave, po edhe mund të vrisnin këdo që kundërshtonte pushtetin e tyre. Me reformimin e Romës ekzekutimi u bë disi më i rrallë e më pak i pranueshëm për qytetarët, kështu që liktorët filluan të shërbenin si një polici moderne, ata thjesht i arrestonin kundërshtarët. Prej këtij akti vjen dhe emri i tyre Lictores – lidhës, prangosës.

Për secilin, edhe pse jo për ambasadorin, është e qartë se cili është mbajtës i pushtetit në Kosovë, e cili është ai që lidh e që dhunon kundërshtarët e vet për t’u mbyllur gojën.

Nuk mund të ketë barazim midis një pushtetari që i mbyll gojën qytetarëve duke i arrestuar dhe protestuesve që ndalin fjalimet demagogjike të pushtetit. Qëndrimet e qytetarit janë qëndrime. Qëndrimet e qeveritarit janë vendime. Parashikimet e qytetarit janë parashikime. Parashikimet e qeveritarit janë planifikime. Mendimet e lira të qytetarit janë mendime të lira ndaj qeveritarit. Mendimet e lira të qeveritarit janë imponime dhe detyrime për secilin qytetar.

E për më tepër, askush nuk mundet ta dekontekstualizojë aksionin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ashtu siç dekontekstualizon ambasadori Fitou përdorimin e termave derogativë. Nuk duhet të harrojmë se aksioni synonte protestën ndaj një ministri të Brendshëm që po dështon të ofrojë siguri për qytetarët e këtij vendi, një ministri të Brendshëm i cili nuk po mban përgjegjësi as për kriminelët që po vrasin policë e civilë e që po bëjnë që territore të tëra të qeverisen prej kontrabandës dhe krimit të organizuar. Ç’do të kishte ndodhur në Francë, zoti Fitou, nëse fjala vjen, qeveria do të humbte kontrollin e Provançe-s apo Bretagne-s? A do të protestonte kush? Le që ç’them, në ka diçka që Franca i mëson botës me krenari e me ballë lart – ajo është protesta dhe rezistenca ndaj cilësdo qeveri që zhgënjen pritshmëritë qytetare e që tradhton principin mbi të cilin ngrihet një republikë – lirinë e sovranitetin. Nuk keni të drejtë ta trajtoni Kosovën ndryshe nga ç’do të dëshironit të trajtohej Franca, zoti ambasador! Dy vendet tona njihen reciprokisht, janë vende mike e popuj miq. Si të tilla – edhe pse rrjedhin prej historish të ndryshme – e pranojnë njëra-tjetrën si të barabarta.

Një aksion politik i cili e rikuptimësoi një situatë në të vërtetën e saj, ambasadori Fitou u mundua ta shpjerë e në një vend dhe epokë tjetër (Bavaria 1943), t'ia vërë etiketën atje, dhe ta kthejë në po këtë situatë në favor të maskimit të emergjencës që kumbon në veri. Shprehja e ambasadorit nuk flet asgjë për aksionin e “Vetëvendosjes”, por rrëfen edhe njëherë për vetë situatën alarmante në Kosovë, situatë që e kishte të domosdoshme shprehjen përmes aksionit tonë, aksion që s’mund të dilte kurrë prej xhepit të Rexhepit. Këto aksione janë akte qytetarie, nuk ka xhep që i nxë, sado i pasur të jetë ministri posedues i xhepit. Gazeta "Shqip"

KOMENTE