Athinë, 27 tetor, NOA – Greqia nis heqjen e pensioneve të akorduara ndaj shqiptarëve. Kështu, siç informon agjencia greke e Lajmeve, ANA, Enti grek i siguracioneve të Bujqësisë (OGA) u ka hequr pensionet 3.500 homogjenëve, ngaqë nuk depozituan brenda afatit ligjor dokumentacionin që iu kërkua.
Duke iu referuar vetë shkresës së ministrit grek të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Jorgos Kutrumanis, ANA tregon se cilat kanë qenë shkaqet e vërteta të marrjes së një mase të tilllë.
Kështu, ministri grek Kutrumanis, në një shkresë drejtuar deputetit të LAOS, Thanasis Plevris, bën me dije se në kuadër zbatimit të mënyrës së re të pagesës së pensioneve nëpërmjet llogarive bankare, u krye regjistrimi dhe verifikimi i gjithë pensionistëve që përfitojnë pension nga OGA (me vlerë 360 euro) dhe kanë lindur në Shqipëri.
"Në kuadër të verifikimit u kërkuan për këtë kategori pensionistësh dokumenta të reja, siç është letërnjoftimi i ri shqiptar dhe pasaporta biometrike, si dhe çertifikata lindjeje dhe gjendjeje familjare", thuhet në shkresën e ministrit dhe vazhdohet: "Deri më sot. Sipas të dhënave që ka kompjuterizuar OGA, u depozituan dokumenta nga 17.130 persona, pensionistë homogjenë nga Shqipëria. Nga këta, në 3.500 raste u krye ndërprerja e dhënies së pensionit, pasi nuk dorëzuan dokumentet e kërkuara brenda afateve ligjore".
Nga ana e tij, deputeti i LAOS-it, në pyetjen e tij iu referohej, siç thoshte, denoncimeve, sipas të cilave "emigrantë klandestinë përfitonin në mënyrë të parregullt pension nga OGA", madje kishte paraqitur dhe 15 emra shtetasish të huaj që sipas tij merrnin pension pa plotësuar kushtet. “Por Ministri i Punës në përgjigjen e tij, garanton se asnjeri prej emrave të përmendur nga deputeti nuk përfiton në mënyrë të paligjshme pension nga OGA”, përfundon ANA.
n.e/NOA