Rio de Zhaniero, 27 tetor 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i ndodhur në Brazil, ka zhvilluar disa takime në fokus bashkëpunimi ekonomik dhe Kosova. Në ditën e parë të vizitës së tij në Brazil, Haxhinasto u prit nga Zv.Presidenti i Republikës Federative të Brazilit, Michel Miguel Elias Temer Lulia. Gjatë këtij takimi, Ministri Haxhinasto falënderoi Zv.Presidentin Brazilian për ndihmën dhe mbështetjen për pranimin e Shqipërisë, me statusin e vendit vëzhgues në Organizatën e Vendeve Amerikane. Duke folur për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, Haxhinasto theksoi se e ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkimin Europian. Lidhur me Kosovën, ai tha se pavarësia e Kosovës ka forcuar stabilitetin e sigurinë në rajon, si dhe ka ndikuar pozitivisht në drejtim të zhvillimit dhe prosperitetit të Kosovës dhe gjithë rajonit, duke i kërkuar Brazilit të rikonsiderojë shqyrtimin e njohjes së shtetit të ri të Kosovës. Nga ana e tij, Zv.Presidenti i Brazilit tha se vlerëson angazhimin e ministrive të jashtme të dy vendeve për të forcuar dhe zhvilluar më tej marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe njëkohësisht ai shprehu mbështetjen e tij të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve parlamentare. Ndërkaq më tej ministri Haxhinasto takoi edhe Senatorin Fernando Collor, kreu i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes në Senat. Gjatë këtij takimi, Ministri Haxhinasto theksoi se një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit dypalësh, është ai ndërmjet parlamenteve të dy vendeve. Senatori Collor vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin midis dy vendeve në kuadër të organizatave shumëpalëshe. Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, senatori Collor veçoi fushën hidro-energjitike, meqenëse Brazili është një vend që mund të ofrojë ekspertizën e vet, si dhe mundësi investimi në këtë drejtim.
a.y/NOA
Në foto: Ministri Haxhinasto gjatë takimit me Zv.Presidentin e Republikës Federative të Brazilit, Michel Miguel Elias Temer Lulia