English

Hezitim për të konsumuar

Ritmet e konsumit privat mbeten të përmbajtura, të ndikuara nga pasiguritë për të ardhmen dhe një sjellje konsumatore hezituese

Nga Ardian Fullani

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Ekonomia shqiptare ka patur një ecuri përgjithësisht pozitive gjatë vitit 2011, ndonëse në prani të një ambienti të jashtëm të pafavorshëm.

Aktiviteti ekonomik në vend ka shënuar rritje, ndërkohë që disa nga balancat kryesore makroekonomike e financiare janë kontrolluar e përmirësuar më tej.

Megjithatë, sfidat me të cilat jemi përballur kanë dhënë ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Më konkretisht, gjatë dy viteve të fundit, rritja ekonomike është ndikuar nga sjellja hezituese e agjentëve ekonomikë në drejtim të konsumit e të investimeve. Gjithashtu, rivlerësimi i rrezikut në tregjet financiare është shoqëruar me kujdes të shtuar dhe prime të rritura rreziku në tregjet e brendshme e të huaja të kreditit. Nga ana tjetër, çmimet e larta të naftës, të ushqimeve e të produkteve të tjera në tregjet botërore, kanë rritur faturën e importit të ekonomisë shqiptare dhe u shoqëruan me presione të forta inflacioniste gjatë gjysmës së parë të vitit. Së fundmi, vëmendja e rritur e tregjeve financiare ndaj shëndetit të financave publike ka kufizuar mundësinë e autoriteteve fiskale për ndjekjen e politikave të forta stimuluese.

Të gjithë këta faktorë janë pasqyruar në ritmet e rritjes ekonomike, duke i zbritur ato nën nivelin potencial dhe duke krijuar kapacitete të pashfrytëzuara në ekonomi.

Njëkohësisht, sfidat me të cilat jemi përballur kanë evidentuar nevojën për vijimin e reformave strukturore dhe për ndjekjen e politikave të kujdesshme makroekonomike. Reformat strukturore, në nivel makro e mikroekonomik, duhet të orientohen drejt rritjes së konkurueshmërisë së forcës punëtore, të produkteve e të shërbimeve tona në tregjet botërore. Gjithashtu, këto reforma duhet të synojnë të forcojnë interesin e huaj ndaj ekonomisë shqiptare, si destinacion biznesi. Politikat makroekonomike po përballen me një realitet të ri, në rang kombëtar, rajonal dhe botëror. Megjithatë, ato nuk duhet të shkëpusin fokusin e tyre nga ruajtja e stabilitetit makroekonomik e financiar.

Ky stabilitet kontrollon primet afatgjata të rrezikut dhe është një parakusht për nxitjen e investimeve të qëndrueshme në ekonomi.

Analiza e këtyre problemeve dhe përballimi i këtyre sfidave kanë qenë fokusi i punës së Bankës së Shqipërisë gjatë gjithë vitit 2011.

Inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e tretë të vitit rezultoi 3.2%, duke rënë me 0.9 pikë përqindjeje në krahasim me vlerën e shënuar në gjashtëmujorin e parë. Inflacioni vjetor ndoqi një trajektore rënëse edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, por ajo u shfaq më e theksuar në tremujorin e tretë.

Kjo trajektore është përcaktuar kryesisht nga reduktimi i kontributit të inflacionit të mallrave ushqimorë, si pasojë e ngadalësimit të rritjes së çmimeve të këtyre mallrave në tregjet ndërkombëtare. Krahas këtij faktori, rritja e ofertës së prodhimit bujqësor vendas përtej sezonalitetit që karakterizon këtë periudhë, ka ndikuar në reduktimin e inflacionit të ushqimeve. Gjithashtu, gjatë këtij tremujori u evidentua edhe shuarja e plotë e efektit të rritjes së çmimeve të administruara një vit më parë.

Inflacioni gjatë vitit 2011 është ndikuar kryesisht nga goditje të ofertës, të materializuara në çmime më të larta të mallrave të importuara. Sikurse pritej, ky efekt u shfaq më i moderuar në tremujorin e tretë. Dinamika e tij në rënie u përcaktua më së shumti nga ritmet më të moderuara të rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe bazë në tregjet ndërkombëtare. Goditjet e ofertës janë balancuar nga presionet në kahun rënës me origjinë nga kërkesa agregate. Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë e të tretë të vitit, por ajo vazhdon të mbetet nën potencialin e saj.

Rritja nën potencial, ka kushtëzuar shfrytëzimin e pjesshëm të kapaciteteve prodhuese dhe ka penguar krijimin e spiraleve pagë-inflacion. Gjithashtu, pritjet e kontrolluara të agjentëve ekonomikë për inflacionin kanë mbajtur në nivele minimale efektet e raundit të dytë.

Kërkesa e sektorit publik dhe kërkesa e huaj kanë vijuar të mbështesin rritjen e aktivitetit ekonomik, por në një masë më të moderuar. Ndërkohë, kërkesa e sektorit privat të ekonomisë ka patur norma pozitive, por të ngadalta, të rritjes. Ritmet e konsumit privat mbeten të përmbajtura, të ndikuara nga pasiguritë për të ardhmen dhe një sjellje konsumatore hezituese. Megjithatë, stabilizimi i treguesve të punësimit dhe rritja e të ardhurave agregate të disponueshme, sinjalizojnë për një potencial në rritje të konsumit gjatë kësaj periudhe.

Edhe investimet private mbeten, gjithashtu, të ngadalta. Kërkesa e huaj në rritje, ka mbështetur zgjerimin e investimeve në sektorin e industrisë, por kërkesa e brendshme e ngadaltë nuk ka favorizuar rritjen e investimeve në sektorët e shërbimit e të ndërtimit. Normat nën mesatare të shfrytëzimit të kapitalit, të pranishme thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, pritet të diktojnë një kërkesë të ulët për investime edhe në të ardhmen e afërt.

Kërkesa e sektorit publik ka nxitur rritjen e aktivitetit ekonomik gjatë këtij viti, por kontributi i saj ka ardhur në rënie pas tremujorit të parë. Ecuria e këtij elementi të kërkesës agregate është diktuar nga sjellja e politikës fiskale, e cila, ndonëse mbetet në kahun stimulues për vitin 2011, është shfaqur më e kujdesshme në dy tremujorët e fundit. Deficiti buxhetor në fund të nëntë muajve të parë të vitit rezultoi 30.7 miliardë lekë, duke qëndruar pothuajse i pandryshuar për tre muaj radhazi.

Në terma të PBB-së, ai vlerësohet në rreth 3.1%, ose 0.5 pikë përqindjeje më i lartë nga një vit më parë. Ecuria e deficitit buxhetor është përcaktuar kryesisht nga ngadalësimi i shpenzimeve publike, ndërkohë që të ardhurat publike kanë ruajtur ritme të ulëta rritjeje. Rritja e shpenzimeve dhe e të ardhurave publike gjatë nëntë muajve të parë të vitit, rezultoi përkatësisht 3.5% dhe 1.0%.

Kërkesa e huaj ka vijuar të mbështesë rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Në terma realë, deficiti i eksporteve neto në tremujorin e dytë është ngushtuar në krahasim me një vit më parë, duke u materializuar në një kontribut pozitiv të këtij përbërësi në kërkesën agregate. Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme dëshmojnë për një ecuri të ngjashme edhe në tremujorin e tretë të vitit. Deficiti tregtar në muajt korrik dhe gusht është ngushtuar në terma mesatarë vjetorë me 0.2%, si rrjedhojë e rritjes së eksporteve dhe e ngadalësimit të lehtë të importeve. Eksportet kanë shënuar një rritje mesatare prej 31.7% në muajt korrik-gusht.

Ecuria e mirë e eksporteve, përtej ndikimit pozitiv të faktorëve me natyrë të përkohshme të lidhur me sektorin e energjetikës, është nxitur nga eksportet e mallrave të përpunuar dhe të lëndëve të para minerale. Importet kanë shënuar një ritëm mesatar vjetor prej 8.2%. Megjithë zhvillimet pozitive, reduktimi i deficitit të llogarisë korente dëshmon për nevojën e vijimit të reformave strukturore, në dobi të rritjes së konkurrueshmërisë së produktit vendas.

Treguesit monetarë konfirmojnë vlerësimet për presione të përmbajtura inflacioniste në ekonominë shqiptare. Zgjerimi i ofertës monetare vlerësohet të jetë në përputhje me kërkesën e ekonomisë për para reale. Rritja vjetore e M3 rezultoi 10.6% në muajt korrik-gusht, duke ruajtur ritmet mesatare të vërejtura gjatë vitit 2011. Kërkesa e sektorit privat për mjete monetare ka ndjekur tendencën rritëse të muajve të mëparshëm. Kredia për sektorin privat u rrit me 12.6% në muajt korrik dhe gusht, ose rreth 1.1 pikë përqindjeje më shumë se ritmi mesatar i shënuar në tremujorin e dytë të vitit.

Kjo rritje është mbështetur kryesisht nga kërkesa e bizneseve private për financim, ndërkohë që edhe kredia për individë po ndjek një prirje rritëse. Rritja vjetore e kredisë për individë qëndron në nivelin 5.7% në fund të muajit gusht, nga 1.5% që shënonte në fund të vitit të kaluar.

Analizat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se rritja e moderuar e kredisë mbetet më së pari një funksion i kërkesës së reduktuar të ekonomisë për të. Ky qëndrim konfirmohet nga opinionet e bizneseve, të cilat shfaqin një tendencë të dobët për investime, por edhe nga reduktimi i numrit të aplikimeve për kredi pranë bankave të nivelit të dytë. Përkundrejt tyre, sistemi bankar paraqitet likuid dhe i mirë-kapitalizuar për të zhvilluar aktivitetin e tij të ndërmjetësimit financiar. Në përgjigje të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të kredisë janë në nivele historikisht të ulëta. Por, sistemi bankar ka shtuar kujdesin në kredidhënie, në formën e qëndrimeve më kritike ndaj plan-bizneseve dhe të kërkesave më të forta për kolateral.

Kjo përqasje është një reagim ndaj pasigurisë në ekonomi apo në sektorë të veçantë, por ajo reflekton gjithashtu edhe një model zhvillimi më të kujdesshëm të aktivitetit kreditues dhe të biznesit bankar. Në terma afatgjatë, ajo do të prodhojë një rritje më të qëndrueshme për ekonominë shqiptare dhe do të garantojë një sistem bankar solid e të besueshëm.

Zhvillimet në tregjet financiare tregojnë për prime të ulëta likuiditeti dhe inflacioni. Vëllimi i tregtimit në tregun ndërbankar është rritur më tej, ndërkohë që, në prani të situatës së mirë të likuiditetit, normat e interesit në këtë treg kanë ndjekur rënien e normës bazë të interesit dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Në respektim të kohëvonesave në mekanizmin e transmisionit të politikës monetare, rënia e normave të interesit pritet të tejçohet edhe në tregun e depozitave dhe kredive. Yield-et e bonove të thesarit kanë ruajtur nivelet e tyre të tremujorit të dytë, në prani të kërkesës së moderuar të qeverisë për financim afatshkurtër.

Duke parë nga e ardhmja, vlerësimet dhe parashikimet tona sugjerojnë për vazhdimësinë e rritjes ekonomike në pjesën e mbetur të vitit. Kërkesa e huaj pritet të mbështesë kërkesën agregate, por me një ritëm më të ngadaltë në krahasim me pjesën e parë të vitit. Ecuria e kërkesës së brendshme mbetet përcaktuese e rritjes së aktivitetit ekonomik, ndërkohë që kontributi i stimulit publik pritet të moderohet më tej, si rrjedhojë e nevojës për ruajtjen e qëndrueshmërisë së treguesve fiskalë. Në këto kushte, kërkesa e sektorit privat të ekonomisë do të kushtëzojë masën dhe shpejtësinë e rikuperimit të kërkesës së brendshme në vazhdim.

Ecuria e faktorëve fondamentalë që përcaktojnë kërkesën private, sugjeron se do të ketë një ecuri potenciale më të mirë të konsumit dhe investimeve në ekonomi nga sa vlerësohet të jetë materializuar deri tani.

Banka e Shqipërisë gjykon se, brenda parametrave të shëndetit makro e mikroekonomik, ekzistojnë hapësira për një rritje më të shpejtë të konsumit e të investimeve dhe për një sjellje më realiste të agjentëve ekonomikë ndaj parashikimeve për të ardhmen. Perspektiva e ekonomisë shqiptare mbetet e shëndoshë; politikat e zhvillimit dhe reformat e mëtejshme strukturore do të çlirojnë potenciale të reja zhvillimi, të cilat duhet të eksplorohen me kujdes e largpamësi nga sektori privat.

Duke analizuar ecurinë faktike dhe atë të pritur të inflacionit në të ardhmen, në muajin shtator Banka e Shqipërisë lehtësoi më tej kushtet monetare, duke ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje dhe duke e çuar atë në nivelin 5.00%. Lehtësimi i kushteve monetare mundëson, krahas ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, edhe një mbështetje më të madhe të kërkesës së brendshme.

Në mungesë të goditjeve të papritura, presionet inflacioniste paraqiten në rënie përgjatë horizontit afatmesëm. Zbehja e efekteve të çmimeve të huaja mbi inflacionin si dhe ndikimi i hendekut negativ të prodhimit, bëjnë që balanca e presioneve inflacioniste të mbetet e kontrolluar dhe në rënie përgjatë horizontit të politikës monetare. Inflacioni pritet të luhatet rreth objektivit tonë gjatë horizontit afatmesëm. Ai do të jetë nën ndikimin e balancuar të presioneve të brendshme e të jashtme inflacioniste. Kërkesa agregate pritet të mbetet nën nivelin potencial të ekonomisë, duke e mbartur kështu hendekun negativ të prodhimit edhe në periudhën në vazhdim. Për rrjedhojë, presionet inflacioniste me origjinë kërkesën do të mbeten të përmbajtura. Nga ana tjetër, efekti i çmimeve të huaja do të vijojë të jetë i pranishëm në ecurinë e ardhshme të çmimeve të konsumit, por ai pritet të vijojë tendencën rënëse të tij.

KOMENTE