Vlorë, 27 tetor 2011, NOA – Dy të mitur nga qyteti i Vlorës janë shoqëruar në policinë e qytetit nën akuzën e vjedhjes. 14-vjeçari K. H., lindur dhe banues në lagjen “Pavarësia” në Vlorë dhe 14-vjeçari G. T., lindur në Rogozhinë dhe banues në lagjen “1 Maji” në Vlorë, dyshohet se kanë kryer në bashkëpunim disa vjedhje. Dy adoleshentët dyshohet se kanë vjedhur më 03.10.2011 servisin e shtetasit V. Bregu, 52 vjeç, i cili ndodhet në lagjen “10 Korriku”, nga ku janë vjedhur vegla të ndryshme pune; më datë 07.10.2011 kanë vjedhur dyqanin e shtetasit F. Kapaj në lagjen “Pavarësia”. Në këtë dyqan dy të miturit kanë vjedhur karta rimbushëse të ndryshme të kompanive celulare si dhe disa steka me paketa. Po kështu ata dyshohet se më 22.10.2011 kanë vjedhur 50 Euro dhe 5 000 lekë në banesën e shtetases 91-vjeçare Xh. Canaj, në lagjen “Pavarësia”. Policia e Vlorës ka sekuestruar të gjitha sendet e vjedhura që ishin shitur te persona të tretë. Dy të miturit po procedohen penalisht për vjedhje të kryer në bashkëpunim. mit/NOA