Nga Ndriçim Kulla Të udhëheqësh një komb, nga këndvështrimi etik do të thotë të nisesh nga shpirti, duke kërkuar mënyrat që ky shpirt i kombit të arrijë të shfaqet sa më mirë. Nëse përvetësohet mirë ky parim, atëherë edhe kategori të tilla si e djathta, e majta, qendra, progresiste, konservatore etj., duhet të kenë kutin e matjes me atë që duhet të na interesojë parësisht: plani evolues i ndërgjegjes së kombit i lidhur me të mirën e përbashkët. Vlerësimi kësisoj do të ndodhë duke individualizuar ato forca evoluese ose kundërevoluese, që rast pas rasti e në përshtatje me “gjendjen e domosdoshmërisë historike” do të arrijnë të ndihmojnë ndërgjegjen e kombit të shfaqet me gjithë fuqinë e vet, të zhvillohet apo do ta pengojë atë. Mbi bazën e këtyre parimeve të patjetërsueshme të çdo etike komunikimi e dialogimi, le të përpiqemi të prizmojmë situatën e sotme në të cilën ndodhet Shqipëria. A nuk është, vallë, integrimi europian një gjendje e domosdoshmërisë sonë historike? Pa dyshim, e në raport me të mund të konsiderohen fare mirë edhe forcat evoluese apo kundërevoluese. Raporti i sapopublikuar për mosmarrjen e statusit të shumëdëshiruar nga ana e Shqipërisë, duket se i zgjoi edhe njëherë etiketimet e ndryshme në lidhje me faktin se cilat janë forca të tilla në planin e përgjithshëm evolues të ndërgjegjes së politikës shqiptare. Veçse këto rezultate duhet të kuptohet se nuk janë mbrujtur tani, por gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. E po ta shohim kështu, atëherë veprimin e bojkotit dhe mosangazhimit ligjor të opozitës mund ta quajmë fare mirë të udhëhequr nga një parim që në terminologjinë e analizës politike quhet boshllëk i krijuar nga “koha e shkurtër e të menduarit”. E menjëhershmja, “koha e shkurtër” është gjithçka, edhe pse shërben për të ruajtur një fuqi apo pushtet, në thelb artificial. Kështu, një politikë e tillë nuk arrin, përveç të tjerash, të mpijë, topisë apo regjë vetëm kohën, njëlloj si “lëkurën e shegrenit” të Balzakut. Ishte pikërisht kjo kohë kaq e vyer që u regj e u shpërdorua, ndoshta paragjykimi më i madh që pozita mund t’i pretojë sot opozitës. Vërtet ajo mund të ketë menduar prioritete të tjera në rrugëtimin e saj drejt ngritjes në pushtet, siç dhe u quajt lufta për demokracinë, për votën etj. Tek e fundit, edhe vetë jeta është çështje prioritetesh, por problemi sot duket qartë që këto prioritete të opozitës kanë renë ndesh me planin evolues të kombit në favor të së mirës së përbashkët. I vendosur në këtë sfond dyvjeçar bojkoti, kohë-shpërdorimi, e tensionimi i panevojshëm deri në radikalitet, programi më i ri 10-pikësh i opozitës nuk mund të mos ketë brenda vetes trashëgiminë nga ai paragjykim që pozita ka pasur ndaj veprimeve të saj përgjatë gjithë kohës: janë qasje personale ose për interesa të ngushta personale, apo janë të vërteta, të sinqerta dhe largpamëse? Ose edhe më keq, a do të vazhdojë politika e lobimit prapa krahëve të interesave të Shqipërisë edhe kësaj here, siç ndodhi me vizat? Pa asnjë dyshim që po të mos qe kjo trashëgimi dyvjeçare që ato mbajnë pas, e drejta e paragjykimit në mënyrë automatike do të kalonte në anën e opozitës, pasi në vetvete, 10 pikat hapin shumë fusha ku mund të bashkëpunohet dhe duhet medoemos që të bashkëpunohet. Mirëpo paragjykimi, ngandonjëherë i ligjshëm, është shumë i vështirë për t’u hequr dhe shlyer, sidomos kur veprimet e vjetra nga ato të reja s’i ndan dot asnjë verë kohë. Ky mendoj se është problemi që duket se po mban ngërç politikën e sotme shqiptare, gjithmonë duke u nisur nga premisa të mira e dashamirëse. Nga ana tjetër, ky veprim në boshllëk i diktuar nga opozita, duket se ka mpirë e topitur edhe ndërgjegjen e pozitës. Kjo ngrirje e marrëdhënieve duket se goditi edhe hapësirën e veprimit të saj. Ajo u detyrua të mendojë gjithmonë në “hapësira të ngushta”. Ndërkohë që hapësirat më të mëdha gjeopolitike të të gjitha kohërave janë për herë të parë përpara kombit shqiptar, liberalizimi dhe integrimi. Ky është dëmi i dytë dhe i menjëhershëm që solli ajo regjje e kohës që përmendëm më sipër. Mbi këtë mendim në hapësira të ngushta, pra vetëm për të kryer detyrat e saj të shtëpisë, pa ia dhënë dorën opozitës, qëndron thelbi i paragjykimit që ka sot opozita ndaj pozitës. Mirëpo që të dyja këto paragjykime duket të kenë për pasqyrë ku të shëmbëllehen parimin që shpirti i kombit të arrijë të shfaqet e të paraqitet në politikë sa më mirë që të mundet, me gjithë fuqinë e tij. E, të qenit në mënyrë masive proeuropianë e proamerikanë, është vula e këtij shpirti që s’duhet ta harrojë asnjë politikan. Ajo duhet të jetë vija e horizontit të veprimit të tij, që duhet ta udhëheqë e të ngrihet, në emër të këtij shpirti, edhe mbi vetveten. Që të krijohet e formësohet ajo vijë e lartë horizonti kah së cilës duhet të priret politika shqiptare, duhet të ngjallen dy parime bazë që qëndrojnë në thelb të këtij deformimi: të mos mendohet më në “kohë të shkurtra” dhe në “hapësira të ngushta”. Me këto dy shtylla duhet të ngrihet më pas çdo prioritet dhe sjellje, sot për sot, e çdo program e projekt politik, sot për nesër. Nisur nga ky përfundim, duket se ka vend për kapërcimin nga të dyja palët jo tashmë të vetvetes, por të paragjykimeve që secili i mendon të ligjshme për tjetrin. Opozita, patjetër që duhet të tregojë me vepra të reja, më bindëse e më konkrete, se nuk mendon më për t’ia shpërdoruar kohën Shqipërisë dhe se është vërtet për integrimin pa kushte, pasi pa kushte është dhe mandati që populli opozitar ia ka dhënë për këtë qëllim. Lufta politike është tjetër gjë, po ashtu dhe ajo për pushtet. Tek e fundit, pse të mos kthehet pikërisht sfondi i plotësimit të 12 pikave, sfondi i betejës së nesërme elektorale, në kuptimin se cila nga këto forca u tregua më evoluese për kombin, cila dha më shumë kontribut në këtë betejë të tij. Edhe pozita, nga ana e saj, pavarësisht argumenteve të ligjshme e të drejta që mund të ketë, duhet ta kalojë paragjykimin e vërtetësisë dhe sinqeritetit të sjelljes së opozitës. Tek e fundit, opozitën nuk mund ta zgjedhë ajo, tek e fundit ajo është gjysma e popullit të vet dhe s’duhet mbështetur kurrë përgjithnjë me shpatulla pas murit, pa i lënë asnjë lloj mundësie. Mund të kërkojë, sigurisht, garanci të reja, me prova konkrete për qëllimet dhe frymën bashkëpunuese të opozitës, por s’mund të reshtë kurrë së dhënë garanci që edhe krahu tjetër të përpiqet të kalojë paragjykimet e veta. Nën tension, askush nuk është i kthjellët aq sa duhet, ndaj le t’i quajmë të tillë këto dy vite. Tanimë duket se tensioni sikur ka rënë e kthjelltësia dalëngadalë po i jep frytet e saj. Le të vazhdojmë ta ushqejmë e t’i japim dorë gjallimit dhe fitimit të tërësisë së forcave të kthjelltësisë, se do të jemi të sigurt që do të arrijë t’i kapërcejë më në fund barrierat që na ndajnë. Gazeta "Panorama"
Koha për kapërcimin e paragjykimeve
-
livalu Ligor Luarasi13:13 - 27 Tetor 2011Z.Ndricim Kulla,po te nisemi nga deshirat per nje Shqiperi per se mbari,ato jane shume se si e qysh duhet vepruar, ajo qe eshte e pergjitheshme me mekataret ndaj atdheut qenka egoja qe i terheq ndaj vetes,qe mbyt edhe etiken,duke vepruar nen rogos per pozite dhe pasurim.Kjo ego e semure nder shekujt e se kaluares,me nje palodrejtesi tani si ajo e jona alla-shqiptaro-moniste,leshoka metastaza te reja,te maskuara qe i quajme ndryshe korupsion.Ajo qe te befason eshte fakti se ky korupsion rjeth nen hundet e kolltugofageve si nje perua nen rogos edhe nuk e shikokan dot o ta kostatojne.Te jene shqiptaret kaq leshko apo qore?