Nga Eduard Zaloshnja Në komentet rreth progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë shumica dërrmuese e autorëve u përqendrua në pyetjen nëse fajin për mosrekomandimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë e ka mazhoranca, opozita, apo "klasa politike" në përgjithësi. Vetëm dy autorë (nga sa kam lexuar), Blendi Kajsiu në gazetën “Panorama” (http://www.panorama.com.al/opinion/shterpesia-e-progres-raportit-te-be) dhe Arbër Zaimi në Respublica.al (http://respublica.al/permbajtje/2011/10/17/frikë-nga-subjektivizmi), nuk janë marrë me këtë pyetje. Ata shtrojnë një pyetje më thelbësore - nëse ia vlen të diskutohet rreth një raporti të përgatitur nga burokratët europianë.
"Një raport i shkruar nga një dorë burokratësh europianë në Bruksel, që kanë po aq pak njohje sa ç'kanë interes për një vend të vogël, të largët dhe të bezdisshëm si Shqipëria, kthehet në një dokument pothuajse mistik, ku kërkohet dhe ofrohet zgjidhja përfundimtare e problematikës shqiptare," shkruan Kajsiu. Ndërsa Zaimi shkruan: "Ndoshta rreziku është i madh për t'u etiketuar si pjesëtar i gjithfarësoj 'celulash', mirëpo disa realitete duhen thënë ashtu siç janë. Nëse jemi keq kështu siç jemi, fajin nuk e ka vetëm elita, por edhe modeli që na është imponuar, edhe tutorët e kësaj elite - që janë vetë 'europianët'". Ndërkohë që Zaimi mjaftohet vetëm me një kritikë të hidhur të modelit ekonomik që na kanë ofruar "europianët", Kajsiu ofron edhe disa alternativa, sipas tij, ku duhet përqendruar vëmendja jonë. Ai shkruan: "Teksa me dëshpërim konspektojmë progres-raportet, si dikur fjalimet e xhaxhit Enver, harrojmë të diskutojmë mbi mbrojtjen e prodhimit dhe industrisë vendëse. Harrojmë të diskutojmë mbi ringritjen e industrisë së minierave, ku mund të punësoheshin me mijëra punëtorë. Harrojmë të diskutojmë për punëtorët që vdesin në galeri si pasojë e privatizimit të dështuar, edhe me firma europiane... Harrojmë të diskutojmë për hapjen e vendeve të punës dhe një sërë problemesh, për të cilat kemi krijuar iluzionin dembel se integrimi në BE do të na i zgjidhë në mënyrë magjike."
Le të thellohemi pak në këtë hulli ku na drejtojnë Kajsiu e Zaimi.
Historia moderne e zhvillimit të vendeve të ndryshme të botës na tregon se, në themel të suksesit ekonomik të atyre që kanë pasur sukses, ka qenë kombinimi i mirë i burimeve natyrore, financiare e njerëzore. Kur një nga dy burimet e para ka munguar, është "importuar" nga jashtë (shembull për të parin - Japonia e viteve '50; shembull për të dytin - Kina e viteve '80). Sidoqoftë, një kusht i domosdoshëm (por jo i mjaftueshëm) për kombinimin e suksesshëm të tre burimeve të mësipërme ka qenë gjithnjë stabiliteti politik i vendit.
Pse ndodh kështu? Sepse gjëja e parë që kërkojnë investitorët seriozë (vendës ose të huaj), është stabiliteti politik. Dhe stabiliteti, në mënyrë paradoksale, prodhohet në dy skajet e spektrit të nivelit të demokracisë - ose në vende me demokraci të maturuar, ose në vende pa demokraci fare. Nuk është rastësi që, ndër vendet më të zhvilluara nga pikëpamja ekonomike, shumë kanë demokraci të maturuar. Por ndërkohë, nuk është rastësi që edhe Tajvani, Singapori, Koreja e Jugut, Kina, Vietnami dhe të tjerë "tigra" aziatikë, që kanë qenë ose janë vende pa demokraci, patën një zhvillim meteorik, kur krijuan një klimë favorizuese për investimet e huaja. (Shembujt e fundit tregojnë se stabiliteti është faktor kryesor, por jo i vetëm i zhvillimit ekonomik - klima favorizuese për investimet është, gjithashtu, një faktor shumë i rëndësishëm).
Në rastin e Shqipërisë, praktikisht, nuk ekziston mundësia e rikthimit në diktaturë - interesat e saj gjeostrategjike shërbejnë si shina që e detyrojnë trenin shqiptar të ecë vetëm drejt maturimit demokratik. Pra, për Shqipërinë e vetmja pyetje që shtrohet është se kur do të maturohet demokracia e saj e re.
Një test empirik që përdoret shpesh në analizat politiko-ekonomike, për të konkluduar se një demokraci e re e ka bërë hapin e parë drejt pjekurisë, është: "A ka pasur në iks vend ndërrim pushteti dy herë radhazi në mënyrë paqësore?" Dhe ky është një test që e kanë kaluar me sukses të gjitha vendet e Europës Lindore që nuk kanë qenë pjesë e Perandorisë Ruse me shekuj.
Tani, i dashur lexues, përfytyroni veten në karrigen e një analisti investimesh, i cili e siguron jetesën me konsulencën që u jep investitorëve seriozë. Më tej, supozoni se po analizoni nëse klientët tuaj duhet të investojnë për ndërtime fabrikash e uzinash në Shqipëri apo në Vietnam, për shembull. Në këtë rast, ma do mendja, që ju do t'i këshillonit këta klientë të investonin më mirë në Vietnam se sa në Shqipëri. Përse?
Duke ditur që Shqipëria nuk mund të rikthehet në sistemin politik që ka ende sot Vietnami, dhe duke përdorur testin e mësipërm, ju, i dashur lexues, (po të ishit analisti hipotetik i investimeve që u përmend më lart), do t'u jepnit këtë këshillë klientëve seriozë që synojnë të ndërtojnë fabrika e uzina: "Mbajini paratë edhe për ca kohë larg Shqipërisë!" Më tej, ju do t'u shpjegonit këtyre investitorëve se demokracia e re shqiptare ka njohur vetëm një ndërrim pushteti në kushte normale - vetëm në vitin 2005. Gjithashtu, do t'u tregonit se ndërrimi i pushtetit në vitin 1992 ndodhi vetëm pasi shteti u shkërmoq i tëri nga pesha e revolucioneve demokratike që përfshinë gjithë Europën Lindore. Ndërsa, për vitin 1997 do t'u thoshit se ndërrimi i pushtetit ndodhi pasi shteti i udhëhequr atëherë nga Kryeministri aktual u shkatërrua nga revolta e njerëzve që humbën gjithë kursimet e tyre në skema piramidale të lejuara dhe të inkurajuara prej këtij të fundit. Gjithashtu, ju do t'u tregonit atyre për krizën aktuale politike, të shoqëruar edhe me vrasje të protestuesve opozitarë, e cila i ka rrënjët në zgjedhjet e 2009-ës dhe 2011-ës, të certifikuara vetëm si pjesërisht të lira e të ndershme nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Në qershor të 2013-ës Shqipëria do të përballet sërish me testin e sipërpërmendur. Dhe atëherë, ose Berisha do të rizgjidhet në postin e Kryeministrit me zgjedhje të certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë si plotësisht të lira e të ndershme, ose do të kemi një ngjitje të Ramës në këtë post (pra, një ndërrim paqësor pushteti), ose, larg qoftë, do të kemi një fitore të Berishës me votim pjesërisht të lirë e të ndershëm.
Pikërisht që të mos ndodhë kjo e fundit, burokratët europianë shkruajnë progres-raportet e tyre dhe diplomatët e BE-së dhe SHBA-së ushtrojnë trysni të vazhdueshme ndaj elitës sonë politike. Ndërkohë, ata i mëshojnë edhe funksionimit të shtetit ligjor, i cili, për t'u kthyer tek argumenti ynë fillestar, krijon një klimë favorizuese për investimet.
Dhe në qoftë se deri më 2013-ën kemi vendosur gurët e themelit të një shteti të qëndrueshëm e ligjor, është më se e natyrshme të adresojmë pyetje ideologjike si ato që bëjnë Kajsiu e Zaimi në shkrimet e sipërpërmendura. Për shembull, mund të diskutojmë nëse duam që shteti të ketë një rol të madh apo të vogël në ekonominë vendëse, ose më tej, nëse duam që shteti të ketë një rol të madh apo të vogël në rishpërndarjen e të ardhurave të shqiptarëve. Pra, thënë me dy fjalë, le të debatojmë për llojin e tullave me të cilat duam ta ngremë ndërtesën, por më parë, le të hedhim themelet e saj. Gazeta "Mapo"