Bruksel, 27 tetor 2011, NOA – Pas afro dhjetë orësh diskutime, liderët e Bashkimit Europian përmbyllën samitin maratonë për shpëtimin e euros, me arritjen e një marrëveshjeje, që përfshin një paketë të re masash anti-krizë. Bankat europiane ranë dakord të zhvlerësojnë deri në masën 50 përqind ekspozimin ndaj borxhit grek. Paketa e plotë e masave shtrënguese kundër krizës financiare do të rrisë sigurinë e bankave përmes rikapitalizimit të tyre me 106 miliard euro, duke siguruar dorazi vendet e BE-së të rrezikuara nga kriza, me një fond shpëtimi, që shkon përtej shifrës së 1 mijë miliard euro, një fond shpëtimi që rritet me katër herë. Ndërkohë BE vendosi të financojë sërish Greqinë, e cila ndodhet në zgrip të krizës financiare, me një fond të ri ndihme prej 130 miliardë eurosh. Shumën e saktë të fondit, BE do ta bëjë të qartë vetëm pas negociatave me qeverinë e Athinës, për paketën e dytë të ndihmës ekonomike. Marrëveshja e BE-së përcakton që bankave të ekspozuara ndaj Athinës për tkurrjen e borxhit grek t’u paguhet një interes edhe më i lartë. Edhe Italia pritet të hyjë në planin e eurozonës për frenimin e krizës së borxheve. Madje zotimet që ajo ka marrë në këtë samit pritet të bëhen me dije në konkluzionet e samitit të Brukselit. Samiti edhe pse i mirëpriti masat e qeverisë italiane e shtyu aplikimin e tyre duke kërkuar më shumë angazhim për një tjetër plan mbi pensionet, i përcaktuar brenda dhjetorit. “Vendimet e samitit të BE-së janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, deklaroi drejtori i Bankës Qendrore Europiane, Jean Claude Trichet. mit/NOA