English

Kuvendi rikthen në seancë dy ligje me 3/5

Tiranë, 27 tetor 2011, NOA – Edhe seanca e sotme plenare e Kuvendit pritet të shndërrohet në një arenë debati e akuzash mes opozitës dhe mazhorancës, për faktin se në rendin e ditës, janë rikthyer dy projektligje të shumëdebatuara nga opozita dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar votash për t’u kthyer në ligj. Kuvendi rikthen këtë të enjte, në seancën që pritet të startojë në orën 10.00, dy Kode të Shqipërisë, përkatësisht, projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, që përfshin dy nisma legjislative dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”, që përfshin tri nisma legjislative. Më tej gjatë seancës së sotme janë në rendin e ditës edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim”; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.253, datë 01.03.2010 “Për gjuetinë”. (vazhdon shqyrtimi në komisionin përgjegjës); draft-ligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Në seancën e sotme, deputeti socialist Gazmir Bizhga kishte kërkuar një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, por me kërkesë të vetë deputetit, interpelanca u shty për një seancë tjetër. Seanca e sotme e Kuvendit do të mbyllet me 60 minutat e diskutimeve të deputetëve për tema jashtë rendit të ditës. mit/NOA

KOMENTE