Tiranë, 27 tetor 2011, NOA- Seanca parlamentare e nisur paraditen e sotme është ndërprerë pak çaste më parë nga drejtuesja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Pushimi i punimeve të seancës plenare erdhi pas fjalës së deputetit socialist Saimir Tahiri, i cili sipas Kryeparlamentares doli jashtë rendit të ditës duke folur për gjobën e marrë nga çështja e deputetes demokrate Albana Vokshi.
Deputeti socialist Saimir Tahiri u gjobit nga Gjykata e Tiranës me 33 milionë lekë të vjetra. Përfituesja e kësaj shume është Albana Vokshi, deputete e PD-së, e cila e ka paditur kreun e PS-së së Tiranës për shpifje. Deklaratat e Tahirit u cilësuan nga gjykata si shpifje ndaj paditëses dhe se i kanë cenuar nderin dhe dinjitetin. Gjykata i ka dhënë të drejtë Vokshit, e cila pretendonte se i padituri e ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme për të ardhurat e padeklaruara, të përfituara nga bashkëjetuesi i saj, Arjan Tartari. Si rast, Tahiri ka përmendur një koncesion nafte dhënë kompanisë “Stream Oil”, ku Tartari ishte një nga drejtuesit e kësaj firme.
a.y/NOA
Në foto: Deputeti i PS Saimir Tahiri