Tiranë, 27 tetor 2011, NOA- Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ shpërndarje reagoi pak më parë lidhur me gjobën e vendosur nga METE.
Në argumentimin e saj CEZ shprehet se kontrata e mëparshme nuk është në përputhje me ligjin, duke shtuar se kjo kompani është në proces gjyqësor për këtë kontratë.
Më tej CEZ kërkon marrëveshje të përkohshme deri në vitin 2011, duke shtuar në përgjigje të gjobës se verifikimi i matësvae bëhet nga një palë e tretë.
Ditën e djeshme Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjobiti me 30 milionë lekë të reja operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, CEZ shpërndarje. Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë ka ardhur pas futjes së mjeteve matëse (sahatët) të paverifikuar përpara përdorimit dhe moszbatimit të ligjit për bashkëvulosjen e morseterisë së aparatit matës.
Në njoftimin e METE thuhet se, edhe pas takimeve të shumta me përfaqësues të CEZ-it, nuk është marrë asnjë masë nga këta të fundit. Pas ankesave të shumta të konsumatorëve në METE dhe pas verifikimeve të DPM për aparatet matëse, drejtuesit e METE dhe DPM vendosën ditën e sotme penalizimin e kompanisë CEZ.
“Paralajmërimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është i qartë: Nëse CEZ nuk merr masa të shpejta dhe të menjëhershme për rregullimin e situatës dhe zbatimin e ligjit, penalizimet nga METE do të vijojnë edhe më të forta”, përfundon deklarata e kësaj ministrie.
a.y/NOA