English

Rama fton në tryezë Berishën, përgjigjja: Jam në Tropojë

Tiranë, 27 Tetor 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama fton kryeministrin Sali Berisha në një tryezë dialogu për reforma në sistemin e drejtësisë.

Ftesa u bë publike nga opozita, por si parapritë iu bë njoftimi se shefi i Qeverisë do të shkojë në Tropojë.

Burime zyrtare nga PS i thanë agjencisë NOA se në një tryezë reformash për sistemin e drejtësisë, planifikuar për këtë të premte 28 tetor, është ftuar kryeministri, njëherazi dhe kreu i PD-së Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit njëherazi nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, kreu i grupit Parlamentar Astrit Patozi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Burimet zyrtare pranë PS, thanë për agjencinë NOA se, ftesa është dërguar nga deputetët e PS-së, anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Sipas informacioneve zyrtare tryeza do të mbahet nesër në mesditë në mjediset e një hoteli, “Sheraton” ku të pranishëm do të jenë, kreu i PS-së Rama dhe deputeti Fatmir Xhafaj si dhe përfaqësues të tjerë të opozitës aktuale. Prej kohësh kreu i PS-së Edi Rama thirrjes së mazhorancës për të miratuar ligjet me 3/5 i është përgjigjur se nuk është për arnime të ligjeve, por për një reformë të thellë.

Por përgjigjja nga Berisha duket se është refuzuese. Burime nga kryeministria i thanë agjencisë NOA se nesër, Kryeministri do të zhvillojë nj vizitë në Tropojë. Në orën 10.00 ai do të jetë në përurimin e aksit rrugor Bajram Curri-Ragam Kam, Tropojë, (Loti 1, rreth 17 km dhe më tej në përurimin e rrugës Bajram Curri – Ragam Kam, Tropojë (Loti 2, rreth 15 km).

Në këtë mënyrë, ftesa refuzohet, sigurisht duke argumentuar mungesën me axhendën e planifikuar në Tropojë, ku Berisha shkon për herë të dytë në këto 20 vjet. Për herë të parë ai ishte gjatë fushatës së kaluar elektorale për zgjedhje parlamentare, më 15 qershor 2009 dhe rikthehet pas mëse dy vjetësh në vendlindjen e tij.

Sakaq, as Jozefina Topalli nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen, kurse nuk dihet nëse në tryezë do të jenë të pranishëm Patozi dhe Rusmali.

e.t/NOA

KOMENTE