Tiranë, 27 tetor 2011, NOA- Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “X Club” ka bërë të mundur gjetjen dhe kapjen e një personi të shpallur në kërkim për vrasje me dashje i cili ishte dënuar me 15 vite burg. Ka qenë ndërhyrja e forcave speciale RENEA ato që kanë bërë kapjen 24 vjeçarit të shpallur në kërkim Ervin Meta.
Ky operacion i cili u realizua në qytetin e Pukës erdhi pasi 24 vjeçari në bashkëpunim me vëllanë e tij, Elvis Meta dyshohet se më 10 Qershor të vitit 2009, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me armë të ftohtë thikë, jashtë ambienteve të një lokali të ndodhur në rrugën e Durrësit në Tiranë, shtetasin Jetmir Ferhati, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Pas kësaj ngjarje ndaj Ervin Metës, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 15-vite burg për veprën penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, ndërkohë që vëllai i tij Elvis Meta u kap në flagrancë menjëherë pas ngjarjes.
a.y/NOA