Përmet, 27 tetor 2011, NOA – Një 29-vjeçar që vodhi dokumentet e Censusit në Përmet, është kapur nga policia. Lorenc Lumani, lindur dhe banues në Piskovë të Përmetit u kap në flagrancë, teksa po vidhte dy kuti me formularë “Për Censusin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave”, të cilat ndodheshin në ambientet e godinës së Komunës Piskovë në Përmet. Lumani rreth orës 03.00 të mëngjesit të së mërkurës, ka hapur derën e jashtme të Komunës Piskovë, me anë të çelsave të siguruar më parë, dhe më pas ka shqyer derën e dhomës ku mbaheshin dokumentat e Censusit, ku ka marrë dy kuti me formularë, dhe i ka fshehur në banesën e tij. Ndërkohë po dje, pasi kanë mbërritur në zyrë, punonjësit e Komunës kanë konstatuar të shqyer derën e dhomës, ku mbaheshin dokumentet e Censusit, dhe kanë lajmëruar policinë. Gjatë hetimit, policia gjeti dhe sekuestroi dy kutitë me dokumente të Censusit rreth orës 15.00, në banesën e Lorenc Lumanit, në fshatin Piskovë. Nga kqyrja e kutive rezultoi se në njërën prej tyre mungonin dy formularë, të cilët shtetasi Lorenc Lumani, i kishte fshehur, për t’i përdorur më pas për qëllime të tij. Shtetasi në fjalë kishte punuar rreth dy javë si kontrollor i anketuesve të Censusit dhe ishte pushuar nga puna. Ai është nën akuzë për zhdukje dhe vjedhje të dokumenteve. mit/NOA