English

Azilkërkuesit, Belgjika kthen 9 shqiptarët e parë

Tiranë, 28 tetor 2011, NOA - Ditën e sotme, në Aeroportin “Nënë Tereza, kanë mbërritur 9 azilkërkuesit e parë të rikthyer nga Belgjika në vendin tonë, pas refuzimit të kërkesës për azil që ata kanë paraqitur pranë autoriteteve belge.

Aktualisht, nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, ndaj personave të kthyer nga Belgjika janë duke u kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale, po sekuestrohet dokumentacioni i tyre, si dhe po merren deklarimet përkatëse.

“Sot kthehen 9 shtetas, ndërkohë që vazhdon procesi për rikthimin e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar. Sigurisht në bazë të rregullave që disponon Komuniteti Europian do t’i nënshtrohen edhe sanksioneve, një ndër të cilët është edhe heqja e të drejtës për të hyrë në hapësirën Shengen për një periudhë deri në 5 vjet”, tha në një prononcim për mediat, shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit, Gëzim Prebibaj.

Për personat e kthyer që rezultojnë të jenë nga Qarku i Shkodrës, materialet do i referohen Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër, në vijim të materialeve të referuara më parë në ngarkim të dy të zgjedhurve vendorë.

Ndërkohë për personat e kthyer nga qarku i Kukësit materialet do i referohen Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kukës dhe Tropojë, në ngarkim të personave që kanë lëshuar dokumente false, me qëllim që këta shtetas të përfitonin azil.

Paralajmërimi i Brukselit

Kthimi i sotëm i azilkërkuesve vjen pak ditë pas vizitës që drejtori për Imigracionin dhe Azilin në ministrinë e Brendshme Belge Freddy Rosemont, bëri në Tiranë ku shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë. Në takimin me kreun e policisë shqiptare, Rosemont deklaroi se vetëm gjatë tetorit ishin regjistruar 240 kërkesa për azil, kryesisht për probleme gjakmarrjeje.

a.q/NOA

KOMENTE