English

Demokracia e munguar te partitë

Nga Alban Daci Sot, sistemi politik shqiptar ndodhet në një krizë identiteti dhe funksionimi. Gjithmonë e më shumë po thellohet distanca mes politikës dhe qytetarit, ku ky i fundit jo vetëm ndjehet i braktisur, por edhe i marr peng nga njerëz që politikën e bëjnë për interesa të ngushta personale dhe jo për të mirën e përgjithshme. Kush beson se kështu mund të demokratizohemi, do të thotë, se nuk ka kuptuar aspak se si funksion një shoqëri demokratike, ku protagonistët e saj nuk janë të përjetshëm, sepse vetë shoqëria është gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm dhe ka nevojë për ide të reja që i përshtaten kohës. Në fillim të viteve ’90 shqiptarët kërkuan që Shqipërinë ta bëjnë demokratike dhe si Europa. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet tranzicion, ne duhet të bërtasim fort njëzëri Shqipërinë e duam demokratike dhe në Europë, sepse ajo nuk është e tillë. Demokracia nuk ofrohet vetëm nga një pakicë dhe vetëm nga një formë mendimi. Alternativat e mendimit dhe pluraliteti i personave vetëm e shëndoshin më shumë demokracinë duke e bërë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë. Nuk mund të ketë demokraci të njëanshme dhe për disa ose pak persona. Demokracia është e të gjithëve dhe duhet të ndërtohet me kontributin e çdo kujt duke formuar atë që quhet kontenitori qytetar i demokracisë. Nuk mund të ketë demokraci pa respektimin e principit të meritokracisë. Sot, për shkak të politikës, meritokracia është një term i huaj. Sot, për të bërë karrierë mjafton të kesh një mik, të kesh para, por jo vlera njerëzore, vizione për të ardhmen dhe dëshirën për të mbrojtur të mirën e përbashkët. Shumë të rinjtë të talentuar sillen rrugëve nëpër Tiranë, ose edhe me keq largohen fare nga vendi, vetëm për faktin se nuk janë bërë pjesë e pazareve të rëndomta politike. Ka ardhur momenti të bërtasim të gjithë njëzëri. Stop injorancës politike dhe po talenteve dhe njerëzve me vizione! Të talentuarit kanë nevojë për Shqipërinë, por edhe Shqipëria ka nevojë për ta që të behet demokratike dhe Europiane. Realiteti, shqiptar ka ndryshuar nga momenti, kur qytetarët dëgjuan për herë të parë parullën "rroftë demokracia", që pa e ditur dhe pa e studiuar asnjëherë më parë e morën të gatshme si diçka themelore që përfaqësonte lirinë e të vepruarit, të menduarit dhe të organizimit të jetës vetjake në raport me komunitetin ku jeton. Format e komunikimit të shpejtë dhe modernë, si interneti e ka ndërgjegjësuar brezin e ri për t’i kuptuar, diskutuar dhe kritikuar shumë fenomene që ndodhin në shoqëri që kanë të bëjnë me jetën e secilit nga ne. Kohët e fundit janë krijuar shumë site dhe mail-lista individuale apo kolektive, ku diskutojnë se si mund të qeveriset drejt prosperitetit një vend dhe si mund të drejtohet me ndershmëri dhe me efikasitet shoqëria për të qenë e denjë dhe kompetitive. Një lëvizje e tillë për demokratizimin e Shqipërinë, do ta quaj unë, është kjo për të cilën ne jemi mbledhur këtë. Është forca e kësaj lëvizje të udhëhequr nga z. Arben Malaj, që na rrit besim, se Shqipëria meriton dhe do të bëhet demokratike. Forca e kësaj lëvizje është guximi ynë për të ndërtuar të ardhmen që meritojmë. Vlera e kësaj lëvizje, është demokracia, forma më e lartë e mirëqeverisjes në botë. Prandaj, duke marr guxim edhe nga prania jonë sot këtu, duhet të zgjohemi nga gjumi dhe të marrin fatin në duart tona. Vetëm kështu do të jemi në gjendje të plotësojnë aspiratat tona demokratike dhe të plotësojnë obligimet që kemi kundrejt qytetarëve duke i përfaqësuar sa më drejt dhe mirë siç e kërkon edhe vetë demokracia. Ka vite që flitet për reformim në institucionet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes politike, por në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë. Gjithçka ka mbetur si më parë dhe e pa ndryshueshme, sepse ky reformizëm është përfaqësuar dhe ndërmarrë nga ato që risinë dhe reformën nuk e duan. Si mund të ndodh reformimi, kur ai kontrollohet, drejtohet ose mund të orientohet nga lart për poshtë. Si mund të presësh reformim të orientuar për nga risia, kur protagonistët janë me ide të vjetra dhe vizione të pa reforumuara. Ne të rinjtë do të jemi zot të vetës dhe të vendit, vetëm kur të përfaqësojnë aksionet dhe idetë tona. Të rinjtë do të jenë të vlefshëm jo vetëm për vetën e tyre, por për gjithë qytetarët dhe vendin, vetëm në momentin, kur të arrijnë të përfaqësojnë vetveten, kur të prezantohen vetë me formimin e tyre intelektual dhe jo të prezantuar vetëm për imazh nga të vjetrit nëpër mbrëmjet gala. Vendi dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për të renë, për ndryshimin, për prosperitetin, sepse këta janë elementët që garantojnë koherencën dhe të ardhmen e merituar, ndryshe nga ajo që kemi përjetuar deri tani. Ne, përfaqësojmë rininë, jemi rritur duke studiuar demokracinë, kemi dashuri dhe përgjegjësi për vendin tonë. Prandaj, duhet të jemi zot të aksioneve tona për të realizuar reformimin e duhur që ka për objekt realizimin e shoqërisë demokratike. NOA Fjalim i mbajtur nga dot. mag Alban Daci gjatë prezantimit të platformës së Partisë Socialiste nga z. Arben Malaj.

KOMENTE