Tiranë, 28 tetor 2011, NOA – Agron Kuliçaj, zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka fituar gjyqin ndaj deputetit socialist, Taulant Balla. Vendimi është marrë sot në gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Rezarta Vigani, e cila e ka gjetur deputetin Taulant Balla fajtor për veprën penale të shpifjes, në drejtim të nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj.
Balla duhet t’i paguajë tashmë Kulicajt 700 mijë lekë të reja dëmshpërblim. Pas vendimit Balla ka deklaruar se kishte shkuar në gjykatë për të paraqitur prova, në lidhje me akuzat që ka bërë ndaj Kulicaj. “Sot erdha në seancë për të paraqitur provat, nuk i heq asnjë presje deklaratave të mia”, tha Balla.
Deputeti Balla e kishte akuzuar javë më parë Kuliçajn, gjatë fjalës së tij në Kuvend, se ishte i përfshirë në afera korruptive dhe kriminale në policinë e shtetit.
a.q/NOA