Brazil, 28 tetor 2011, NOA - Në kuadër të vizitës zyrtare në Brazil, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Brazilit, Ambasador Antonio de Aguiar Patriota.
Dy homologët nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume: marrëveshja për heqjen e vizave midis dy vendeve, marrëveshja e bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, memorandum mirëkuptimi midis dy Akademive Diplomatike për bashkëpunim reciprok dhe trajnim të diplomatëve, si dhe memorandumin për bashkëpunimin ekonomik.
Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe nënvizoi se kjo vizitë, e cila kryhet në 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përbën një moment historik për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Bashkëpunimi ekonomik duhet të shtrihet në fusha të tilla si turizëm, energji, infrastrukturë, burime natyrore, etj. Investimi në Shqipëri duhet parë në një kontekst rajonal, sepse tregu rajonal po integrohet gjithnjë e më tepër, duke humbur nocionin e tregjeve kombëtare. Shqipëria përbën një qendër për vendet që investojnë në rajon. Bashkëpunimi dypalësh duhet të zgjerohet edhe në aspektin kulturor”, tha Haxhinasto.
Nga ana e tij, Ministri Patriota u shpreh se ky është një moment historik, ndërsa marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen me shpejtësi. Këtë gjë e provon më së miri hapja e ambasadave respektive. “Dy vendet tona, tha ai, duhet të kapin kohën e humbur ne marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik është nje drejtim mjaft i rëndësishëm që duhet të zhvillohet me shpejtësi.”
a.q/NOA