Prishtinë, 28 tetor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek.
Gjatë takimit Thaçi falenderoi Lunaçek për kontributin e saj dhe të anëtarëve të Parlamentit Europian lidhur me mbrojtjen e interesave të Kosovës në Bruksel dhe e siguroi atë se Kosova do të bëjë përparim të dukshëm në rrugën e integrimit.
Më tej ai përsëriti rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe konfirmoi se Kosova ka qenë dhe do të mbetet faktor konstruktiv, duke respektuar vlerën e dialogut dhe të bashkëpunimit.
Nga ana e saj, Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek përgëzoi Kryeministrin Thaçi për punën e bërë në drejtim të liberalizimit të vizave dhe ka shprehur optimizmin se qytetarët e Kosovës në një periudhë të afërt do të gëzojnë lirinë e lëvizjes në vendet e Bashkimit Europian. Raportuesja Lunaçek shprehu mbështetjen për dialogun me Serbinë dhe garantoi mbështetjen e Parlamentit Europian drejt Integrimit.
Në përfundim Lunaçek informoi Kryeministrin Thaçi se në Parlamentin Europian me 22 nëntor do të debatohet Raporti i këtij institucioni të BE-së mbi zhvillimet në Kosovë.
a.y/NOA
Në foto: Gjatë takimit Thaçi- Lunaçek