English

Mitrovicë, 25 mijë euro për rinovimin e lagjes së Boshnjakëve

Mitrovicë, 28 tetor 2011, NOA- 25 mijë euro janë vënë në shërbim për rinovimin e shtëpive në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës ka ndarë 25 mijë euro për rinovimin e këtyre shtëpive, ku për këtë u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi në mes të zëvendësministrit të MPMS-së, Fatmir Shurdhajt dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ku specifikohen obligimet e të dy institucioneve.

Sipas memorandumit të nënshkruar ministria do të mbuloj pjesën e rinovimit të shtëpive, ndërsa komuna do të mbuloj shpenzimet për punëkryesin. Të dyja palët u zotuan se do të vazhdojnë të mbështetin projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetës në veri.

Nga ana e tij përfaqësuesi i banorëve të lagjes së Boshnjakëve Florent Azemi, u shpreh për këtë nismë se do të ndikoj pozitivisht në aspektin moral dhe material të atyre që kanë probleme me shtëpitë e vjetruara.

Në kuadër të projekteve për qytetarët e veriut, kanë vazhduar të shpërndahen ndihmat ushqimore për ta të siguruara po nga MPMS. Pas shpërndarjes së ndihmave ushqimore për banorët e Kodrës së Minatorëve, të premten ato janë ndarë për banorët e Kroit të Vitakut.

MPMS ka siguruar ndihma ushqimore për 456 familje të veriut, në mesin e të cilave ka shqiptarë, serbë, turq etj.

a.y/NOA

KOMENTE