English

Nis hipotekimi i apartamenteve në Tiranë

Tiranë, 28 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Bashkia e Tiranës ka dërguar në ministrinë e drejtësisë 124 dosje ku ligjërohet kërkesa për regjistrimin e apartamenteve të pahipotekuara deri më tani. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha firmosi sot letrën drejtuar ministrit Nishani ku finalizohet edhe mbyllja e fazës së parë të hipotekimit në kryeqytet, për 20 mijë apartamente, të cilat i përkasin afro 80 mijë qytetarëve.

“Hipotekimi është një shërbim i munguar dhe detyrim nga ana e bashkisë. Mungesa e letrave të pronësisë i ka penguar familjet të përdorin pronën, për të cilën kanë paguar në mënyrë të ligjshme. Kjo fazë i hap rrugën likuiditetit në kapitalin e tregut të ndërtimit në Tiranë. Për bankat e Tiranës, vlera e likuiditetit është e barabartë me vlerën e punësimit të mijëra qytetarëve. Ndaj, në jemi të vendosur që të mbyllim brenda kohës edhe dy fazat e tjera”, deklaroi Basha gjatë konferencës për shtyp.

Sipas tij, shkelja e vetme në procesin e hipotekimit të apartamenteve ka ardhur nga autoritetet vendore, të cilat kanë vonuar pa asnjë shkak regjistrimin.

Faza e dytë e hipotekimit

Kryebashkiaku Basha tha se, në fazën e dytë të procesit të hipotekimit përfshihet aplikimi nga ana e qytetarëve dhe kryerja e pagesës për marrjen në dorë të tapisë së shtëpisë së tyre.

“Objektet të shtrira në të gjithë territorin e Tiranës. Deri në fund të vitit do të përfundojë edhe faza e dytë dhe në mbledhjen e 10 Nëntorit Këshillit Bashkiak do t’i kërkohet të votojë për përshpejtimin procesit”, sqaroi Basha.

Faza e tretë

Faza e tretë e hipotekimit në bashkinë e Tiranës, konsiston në marrjen nga bashkia të një roli proaktiv për të përmbushur vakumin e atyre biznesve që ose kanë falimentuar, ose nuk ekzistojnë, ose nuk pranojnë të përmbushin detyrimet për kolaudimin e projektit.

Kjo fazë, sipas kryetatit të baskisë, nis në Janar ose Shkurt të vitit të ardhshëm, sërish bazuar në memorandumin e bashkëpunimit firmosur javë më parë mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Hipotekave.

a.q/NOA

KOMENTE