Nga Edlira Haxhiymeri Besoj se ne të gjithë në këtë sallë kemi një dëshirë të përbashkët: e duam Shqipërinë një vend të përparuar, të begatë e të qetë ku ne dhe fëmijët tanë të ndërtojmë jetën si të gjithë qytetarët e hapësirës Euro Atlantike. Partitë politike duhet të jenë mundësia më e mirë për t’i dhënë jetë ëndrrës së qytetarëve dhe për t’i shërbyer vendit. Është kjo arsyeja që kërkojmë demokratizimin e tyre. Partitë politike në Shqipëri edhe pas 20 vitesh demokraci duket se janë ende larg këtij qëllimi. Fatkeqësisht, prej kohësh partitë politike në vend po pengojnë ndërtimin e një qeverisjeje më të mirë, më demokratike, më përfituese për të gjithë qytetarët. Epiqendra e politikës është bërë përfitimi më i madh për një grusht individësh që kanë mbërthyer lidershipin e partive. Shqipëria, edhe këtë herë, mbeti jashtë hapësirës europiane, jo se qytetarët e saj janë më të prapambetur se fqinjët, por se klasa jonë politike e ka monopolizuar politikën dhe e përdor atë për qëllime tejet personale. Partitë politike po përjetojnë një krizë të thellë të demokracisë së tyre të brendshme. Ato e kanë humbur misionin për të cilin janë ndërtuar dhe funksionojnë si parti të kryetarëve. Koncepti i demokracisë (i shpikur nga iluministët francez dhe i adoptuar nga kushtetuta amerikane për herë të parë) ishte se pushteti duhej ndarë në sa më shumë duar, rivale mes njëra tjetrës, të cilat siguronin prurjet më të mira në ide , drejtim dhe menaxhim. Ajo që ndodh sot në partitë tonë është se lidershipi e mendon dhe e trajton forcën politike si pronë të vetën, si monopol ku askush dhe për asnjë arsye nuk ka të drejtë t’i konkurrojë. Ndryshe shpallesh armik!!!! Historia ka provuar tashmë se në një sistem me konkurrencë të fortë, individët do mund të jepnin më të mirën e tyre. Konceptet e konkurrencës, e ballafaqimit, e krahasimit dhe e vlerësimit mbi bazë kontributesh dhe vlerash janë zhdukur në mjediset tona politike. Në vend të tyre ka lulëzuar vasalizmi ndaj kryetarit. Në këtë sistem kryetarët ndjehen komodë, anëtarësia dhe shoqëria vuan. Modelet e sistemit të konkurrencës dhe përparësitë e tij nuk mungojnë. Në sistemin amerikan të partive konkurrenca brenda tyre ka mundësuar debatin, ballafaqimin e ideve dhe mënyrave të menaxhimit më të mirë të burimeve njerëzore dhe atyre materiale si dhe transparencën ndaj publikut dhe unifikimin e strukturave. Individët konkurrojnë brenda partisë me programe në sy të publikut dhe më pas votohen nga anëtarësia në të gjithë vendin. Fituesi është cilësor, i përgjegjshëm dhe i pranuar. Ai nuk është i përjetshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ky model duhet të bëhet pjesë e kulturës sonë politike. E përkthyer në situatën në Shqipëri është e domosdoshme që partitë politike, por Partia Socialiste në rastin tonë, të ndërtojë rregulla të sakta të konkurrencës dhe transparencës brenda saj. Konkurrimi i kandidatëve me platforma, ide dhe strategji brenda vetes do te sillte në finish individët më me vlerë. Nga ana tjetër, organizimi i një procesi zgjedhor me transparencë, ku të propozuarit dhe votuesit vendosen në pozicione transparente deri në rezultatin final, e bën procesin të besueshëm, të pranueshëm dhe të suksesshëm. Një parti që funksionon brenda vetes me të tilla standarde ka gjithë të drejtën të kërkojë nga analoget e saj të bëjnë të njëjtën gjë dhe të kontribuojë bashkërisht në krijimin e klimës së mirëkuptimit në vend të asaj të mosbesimit në të gjithë shoqërinë. Ndërtimi i një modeli partie ku mbizotërojnë rregullat, konkurrenca, vlerat, kontributet, transparenca do t’i shërbente një qeverisje të suksesshme. Por ky model do të transmetonte kulturën e duhur politike edhe tek të rinjtë dhe të rejat. Partitë politike janë padyshim edhe mjedise ku rriten dhe formësohen brezat e politikanëve të rinj, djemve dhe vajzave që kanë ambicie për ta patur politikën fushën e tyre të profesionit dhe të angazhimit. Rrënjosja tek ata e modelit të politikanit të suksesshëm nëpërmjet punës, kontributit, konkurrencës dhe vlerave do t’i shërbente krijimit të një klase politikanësh të rinj që e duan vendin dhe veten dhe duan të kontribuojnë për sot dhe për të ardhmen përkundrejt eksperiencave të dhimbshme të kohëve tona ku, në jo pak raste, të rinj dhe të reja i futen politikës për t’u përdorur dhe përfituar prej saj maksimalisht në kohën më të shkurtër të mundshme. Ky nuk është vetëm faj i tyre. Ky është, në pjesën më të madhe, përgjegjësia e modelit të politikës jo demokratike, që mbizotëron sot tek partitë tona politike. Është koha kur klasa politike duhet të ulet, të reflektojë mbi çfarë është bërë dhe çfarë duhet të ndryshojë. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i interesave të grupeve të vogla në pushtet. Shqipëria nuk e meriton të drejtohet nga të paaftët e të korruptuarit. Shqipëria ka shumë djem e vajza të formuar e me vlera bashkëkohore. Ata mund dhe duhet të dalin në krye të këtyre forcave politike. Kjo bëhet e mundur kur partitë politike funksionojnë mbi bazë rregullash dhe normash. Ne nuk duam vetëm një Parti Socialistë në pushtet, por ne duam një parti socialiste të demokratizuar në pushtet. Ne nuk duam të përsëriten të njëjtat gabime. Ne duam që Partia socialiste të ofrojë një model shumë më të mirë të funksionimi brenda saj, por edhe një model qeverisjeje cilësisht të ndryshme nesër në qeverisje, që ju shërben të gjithë qytetarëve. Këto nuk janë ëndrra, nuk janë te pamundura, nuk janë të paarritshme apo te parealizueshme. Janë standarde demokracie, pjesë e kulturës politike, mëse normale, për partitë politike në shoqëritë perëndimore ku ne aspirojmë të aderojmë. Në vitin 90 studentët kërkuan që Shqipëria të bëhej si Europa. Nuk ka pse në 2011 ne të mos kërkojmë që e tillë të bëhet dhe Partia Socialiste. Fjala e Sekretares për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta në Partinë Socialiste, gjatë takimit të zhvilluar nga deputeti Arben Malaj për “Modernizimin e partive politike”. NOA
Një parti socialiste e demokratizuar
-
Bixhi10:00 - 28 Tetor 2011Me vjetersira si ju PS-se nuk i duhen.