English

Një thirrje për Aleancën kundër “plehrave”

Nga Taulant Bino Afro tri javë më parë, një gazetar i njohur e pyeti Presidentin e Republikës nëse ky i fundit do ta dekretonte ligjin “Për importin e plehrave toksike”. Z. Topi u përgjigj se do ta shihte çështjen me shumë kujdes. Historia më pas ngjan me atë të qimes që rritet e bëhet tra. Tra aq i madh, sa jo vetëm që bllokon një ligj të domosdoshëm për Shqipërinë, por dhe vetë sistemin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Përgjigjen e pyetjes për “plehrat toksike” e jep vetë ligji, në nenin 48, kur shprehet: “Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”. Pasi kemi sqaruar se ligji ndalon importin në Shqipëri të mbetjeve toksike, kancerogjene, të djegshme, shumë të djegshme, irrituese, dëmtuese, gërryese etj., do të duhet të sqarojmë disa pyetje të tjera që publiku i ka shtruar me plot të drejtë këto ditë. Pikërisht për këtë ftoj të gjithë lexuesit, mbetje-skeptikët, edhe anëtarët e Aleancës kundër “plehrave”, të më kushtojnë 10 minuta nga koha e tyre e vyer. 1. A hap ligji rrugën për import të mbetjeve jo të rrezikshme në Shqipëri? Edhe pa këtë ligj importi i mbetjeve jo të rrezikshme si lëndë e parë nuk ka qenë dhe nuk është i ndaluar në Shqipëri. Çdo lloj legjislacioni i prodhuar në Shqipëri që prej vitit 1990 e ka lejuar importin e mbetjeve jo të rrezikshme. Kështu ndodhi dhe në vitin 2002, kur në fillim qeveria socialiste dhe më pas Parlamenti shqiptar i dominuar nga të majtët miratuan ligjin 8934 “Për mbrojtjen e mjedisit”, ku lejohet importi i çdo lloj mbetjeje me qëllim përdorimi, përpunimi e riciklimi. Kështu ndodhi dhe në vitin 2003, me miratimin e ligjit 9010 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, ku lejohet importi për të gjitha qëllimet e tjera, sikurse rikuperimi i energjisë, përpunimi dhe riciklimi. Ligjet e mësipërme janë votuar nga të gjithë deputetët e koalicionit të majtë të legjislaturës 2001-2005. Sot, afro gjysma e tyre janë ende deputetë të koalicionit të majtë dhe sikundër gjithë kolegët e partisë së tyre, janë kthyer në kundërshtarë të ligjit të ri ose në kundërshtarë veçanërisht të atyre neneve që i kanë miratuar vetë. Gjetja e fundit nuk përkthehet në shprehjen “Meqë ata e bënë gabim, le të vazhdojmë të gabojmë”! Ajo thjesht mjafton për të vërtetuar se reagimi i opozitës së sotme nuk vjen nga zelli për të shpëtuar Shqipërinë nga mbetjet. Përkundrazi, kundërshtimi i sotëm kërkon të përdorë një temë që manipulohet lehtë për të nxjerrë përfitime politike. Përmes manipulimit të temës së mbetjeve nga politika po tentohet të manipulohet e drejta e çdo individi për të njohur të vërtetën. Po tentohet të përdoret edhe vetë Aleanca si një levë për pushtet. 2. A është ky i sotmi një debat i ri? Sot ne po përsërisim thuajse të njëjtin debat me atë të një viti më parë, kur një pjesë e shoqërisë civile kundërshtoi Vendimin Nr. 99 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës së mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi”, ndërsa pjesa e mbetur e mbështeti atë duke kërkuar njëkohësisht këshillimin publik për çdo sasi që do të importohej në të ardhmen dhe masa më të forta kontrolli nga të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces. Bazuar në legjislacionin e mëparshëm, deri në tetor të vitit 2010, në Shqipëri mund të hynin 434 elemente të listës së mbetjeve që klasifikoheshin si të parrezikshme. Pas tetorit 2010, me nxjerrjen e vendimit të sipërpërmendur, numri i elementeve të parrezikshme që mund të futeshin në Shqipëri u reduktua në vetëm 55, të gjitha pjesë e asaj çka njihet si Lista e Gjelbër europiane, listë kjo e përbërë nga elemente që konsiderohen si të parrezikshme për mjedisin dhe shëndetin. Ky vendim i shoqëruar me plot debate, që në shumicën e tyre kanë qenë të drejta, ka shërbyer pikërisht për të formalizuar importin e mbetjeve. Ai nuk reduktoi vetëm listën e lëndëve që mund të hynin. Vendimi dhe debati që e shoqëroi i ndërgjegjësoi institucionet se publiku nuk do t’i falte gabimet, ndaj dhe vendimmarrjet e tyre duhet të ishin sa më transparente. Që prej atij debati, doganat shqiptare nuk lejojnë hyrjen e elementeve jashtë listës. Nuk lejojnë gjithashtu as hyrjen e elementeve të listës kur këto janë të pashoqëruara me autorizimin e Këshillit të Ministrave. Thuajse për një vit, nga tri kërkesa të paraqitura është dhënë vetëm një autorizim për kompaninë “Kurum” (Elbasan), për import të mbetjeve metalike. Ky autorizim ka ndjekur një proces transparent të këshillimit publik me pjesëmarrjen e disa shoqatave mjedisore. Dy kërkesat e tjera ishin për import të plastikës. Njëra prej tyre është refuzuar sepse leja e mjedisit të subjektit nuk përputhej me kërkesën për import. Për subjektin tjetër vazhdon shqyrtimi nga institucioni deri në përputhshmërinë e plotë me kërkesat e kuadrit ligjor. Edhe për këtë subjekt është kryer këshillimi publik, ku janë ftuar të gjitha OJF-të më në zë për mjedisin. Janë ftuar dhe njoftuar një për një edhe ata që e kanë kundërshtuar më fort vendimin. Këshillimi u parapri nga dërgimi i materialeve sqaruese lidhur me sasinë e kërkuar, teknologjinë e përdorur, ndikimin në mjedis të procesit etj. Këshillimi u krye në mjediset e fabrikës së riciklimit për t’u njohur më mirë me procesin, hapësirat për vendosjen e mbetjeve lëndë e parë, teknologjinë e përdorur, impaktin në mjedis të aktivitetit. Ky këshillim është një nga më të plotët të zhvilluar deri sot në Shqipëri. Pra, në një vit kohë, institucionet kanë ditur të luajnë rolin e tyre kontrollues dhe këtu kanë, pa dyshim, rol themelor OJF-të mjedisore. Dhe pavarësisht debateve për idetë, ky raport ka prodhuar në terren një zbatim më të mirë të legjislacionit mjedisor. 3. A e lehtëson ligji i ri importin? Legjislacioni i ri në fushën e mbetjeve është shumë më konservator sesa ai i mëparshmi. Në ndryshim nga kuadri ligjor pararendës, ligji i ri hyn në sqarimin e një pjese të procedurave të importit duke i forcuar ato në raport me të shkuarën. Vendosja në ligj e procedurave provon se importi është më i kontrolluar se më parë. Çdo kush që do të dëshironte më pas të lehtësonte procedurat e importit, do t’i duhej më parë të ndryshonte ligjin. 4. A është importi i mbetjeve i barabartë me importin e “plehrave”? Jo, aspak. Për ne shqiptarët “plehra” do të thotë kazani i pisët pranë shtëpisë. Kazani që përmban gjithçka, përfshirë mbeturinat të ushqimit, të ambalazheve, qese, shishe, letra, ilaçe, bateri, aparate elektronike, tulla, llaç, metale etj. Për ne shqiptarët “plehra” do të thotë çdo grumbull anësh rrugës, kanalit apo lumit më të afërt. Pra për ne të gjithë “plehrat” janë të barabarta me mbetjet e përziera. Ky kuptim i yni rrjedh prej kaq e kaq vitesh keqmenaxhim, mungesë investimesh dhe mungesë edukimi. Kuptim për ndryshimin e të cilit shërben pikërisht ky ligj. Ligji nuk flet për import plehrash, por mbetjesh lëndë e parë. Ky koncept sqarohet më shumë në nenin 8 të ligjit, i cili shprehet, ndër të tjera, se një mbetje e caktuar pushon së qeni mbetje kur ka pësuar një operacion rikuperimi, përfshirë riciklimin, dhe vetëm në qoftë se substanca ose objekti përdoret gjerësisht për qëllime të caktuara, ekziston tregu apo kërkesa për një substancë ose objekt të tillë dhe substanca plotëson të gjitha kërkesat përkatëse për mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit.Pra importi i mbetjeve nuk është import “plehrash”, është import i lëndës së parë për industrinë, sikurse tulla për ndërtimin apo lëkura për prodhimin e këpucëve dhe pëlhura për prodhimin e konfeksioneve. 5. A do të menaxhoheshin mbetjet tona më mirë nëse do të ndalonim importin e lëndës së parë për industrinë ricikluese? Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe i mbështetur në 20 vjet me fare pak progres në fushën e menaxhimit të mbetjeve. E, ndërsa vlen të theksohet se gjendja e sotme është një përgjegjësi e ndarë mes qeverish dhe qeverisjesh, duhet pranuar se shoqëria shqiptare përballet gjithnjë e më shumë me një problem në rritje, që në mungesë të veprimit aktiv tenton t’i bashkëngjitet atij të rritjes së mirëqenies duke sjellë në fund reduktim të vetë mirëqenies. Por, ndalimi i importit nuk zgjidh aspak hallin tonë. Në 20 vjet importe-eksporte të kësaj lënde të parë ne kemi bërë pak hapa përpara në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Ne ende vazhdojmë t’i trajtojmë mbetjet si “plehra” dhe jo si “mall”. Pikërisht ky është ndryshimi i madh. Në momentin që mbetjet tona do të kthehen në “mall”, atëherë këtë problem madhor për Shqipërinë do ta zgjidhte vete tregu. Sot industria e riciklimit i jep vlerë këtij tregu. Është pikërisht kjo industri, aleate e fortë e mjedisit dhe mjedisorëve, që i jep vlerë 10-30% të mbetjeve tona. Megjithëse importi ka qenë i hapur prej shumë e shumë vitesh, industria e riciklimit nuk është e mbështetur në 100% import. Sot industria e riciklimit, pa thuajse asnjë lloj ndihme nga sektori publik, heq nga mjedisi shqiptar pikërisht 10-30% të mbetjeve të vendit. Në të kundërt, këtë sasi te hequr do ta kishim sërish rrugëve. Përse vallë kur udha e importit paskësh qenë e hapur? Vetëm ky fakt mjafton për të dëshmuar se importi nuk vret as përpjekjet e ricikluesve dhe as dëshirën e Aleancës për lëndë të parë brenda vendit. Dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin. Është e qartë se në biznes patriotizmi ia lë vendin e parë ekonomisë së tregut. Pra tregu vetë dhe kostoja e produktit e orienton këtë industri drejt zgjidhjeve të brendshme. Industria e riciklimit rrëmon sot të gjejë lëndë të parë brenda vendit por nuk i mjafton. Ajo ka ngritur rrjetin e vet të grumbullimit duke futur në punë shtresat më të marxhinalizuara të shoqërisë por prapë nuk mjafton. Kjo industri do t’i jepte vlerë 100% mbetjeve tona nëse ne të gjithë, pushtetarë e qytetarë, do t’i ofronim lëndën e parë që ajo kërkon. Për çdokënd që i bie lapsit, është e qartë se për industrinë e riciklimit do të ishte më e lirë lënda e parë brenda vendit. Por, mënyra e sotme e menaxhimit të mbetjeve, ku mbeturinat thjesht hidhen në kazanin e madh e më pas drejt e në gropë, nuk është aspak ajo e duhura. Këto lloj mbetjesh të përziera nuk i shërbejnë industrisë së riciklimit. Në përzierje e sipër mbetjet e riciklueshme ndoten apo kontaminohen, dhe për këtë shkak rezultojnë me kosto shumë të lartë të përpunimit, që do të thoshte se industria e riciklimit, aq e domosdoshme për procesin e trajtimit modern të mbetjeve, do të duhej të falimentonte përballë tregut europian e botëror ku ajo rreket të mbijetojë. Kinse për të përballuar këtë lloj tregu, ricikluesit kanë ndërtuar kapacitete të mëdha përpunimi. Në të kundërt, në mungesë të kapaciteteve të mëdha e të teknologjive të reja që ulin koston, ata, dhe bashkë me ta dhe ky biznes që ndihmon mjedisin, do të ishin thjesht të falimentuar. Ndalimi i importit sot dhe mungesa e lëndës së parë do ta çonte industrinë e riciklimit në falimentim, ndërkohë që ne nuk do të kishim zgjidhur aspak hallin tonë të madh. Ne sërish do të kishim mbetje nëpër këmbë sepse do të na mungonte tregu që i tërheq. Me fjalë të tjera, vetë tregu i riciklimit. Ligji i ri i synon t’i japë vlerë këtij tregu. Ai vendos më në fund në pikën 3 të nenit 18, detyrimin e njësive të qeverisjes vendore për të ndarë mbetjet në burim. Viti 2018 është afati i fundit për ndarjen e tyre. Bashkitë e komunat do të jenë tashmë të detyruara të merren seriozisht me riciklimin. Ky proces ka, sigurisht, kostot e veta fillestare, por në fund ai do të rezultojë fitimprurës jo vetëm për autoritetet vendore, por edhe për qytetarët e bizneset që do të paguajnë më pak për tarifën e pastrimit. 6. A është ky ligj një ligj antikombëtar, antieuropian dhe antinjerëzor? Për çështjen e lejimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme, ligji është i përputhur jo vetëm me legjislacionin europian, por edhe me atë të vendeve fqinje si Maqedonia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Bosnja, Kosova etj. Nëse ky ligj është antikombëtar, antieuropian dhe antinjerëzor, siç thotë z. Rama, atëherë edhe direktiva europiane është antikombëtare, antieuropiane dhe antinjerëzore, edhe legjislacionet e vendeve të rajonit janë antikombëtare, antieuropiane dhe antinjerëzore. Duket qartazi se këto shprehje janë thënë për të ngjallur panik të paqenë e për të përfituar politikisht prej këtij paniku. Në thelb kjo ngjarje më kujton atë të para disa viteve me eklipsin e diellit, kur shqiptarët që besojnë në besëtytnitë u ndrynë brenda duke u lënë rrugën pakicës pa besëtytni. Sot sistemet tona të kontrollit matin radioaktivitetin, komunikojnë online me sistemet homologe për të marrë informacion të menjëhershëm, kryejnë kontrolle rastësore të bazuar në sistemin e analizës së riskut dhe kanë zhvilluar e po zhvillojnë më tej kapacitetet analitike nëpërmjet laboratorëve të specializuar. Pra sot ka një sistem që funksionon. Në këtë kuptim do të sugjeroja për të gjithë kundërshtarët se në vend të rrëzimit të sistemit kombëtar të kontrollit do të ishte më mirë të ndihmonin për ta përmirësuar atë. 7. A e cenon ky ligj e ky nen Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë? Ligji nuk e cenon Kushtetutën e Shqipërisë. E megjithatë, këshilltarët e Presidentit janë ngatërruar jo pak. A munden të më thonë pse hekuri për riciklim e rrezikuaka Shqipërinë më shumë se makina e re që ne vozisim? Pse letra për riciklim e rrezikuaka Shqipërinë më shumë se letra e bardhë borë që përdorim në zyra dhe pastaj e hedhim? Pse plastika për riciklim e rrezikuaka më shumë Shqipërinë sesa plastika për ambalazhim? Të gjitha elementet e para nuk hidhen rrugëve, por shkojnë në fabrikën e riciklimit. Ata nuk hidhen sepse kuadri ynë ligjor e ndalon dhe e dënon. Nuk hidhen sepse janë blerë me para. Nuk hidhen sepse nuk i hedh as industria e riciklimit, e cila, me miliona euro të investuara, nuk ka dalë në treg me qëllimin për të falimentuar. Në këtë debat për refuzimin duket qartë se palët flasin për objekte të ndryshme. Një palë flet për mbetje të përziera që do të hidhen rrugëve, ndërsa pala tjetër ka ndërtuar e po përmireson gjithë sistemin që kjo të mos ndodhë dhe që mbetjet lëndë të para të kthehen në burim mirëqenieje për Shqipërinë. 8. A duhet të vazhdojë debati për mbetjet? Jam i bindur që duhet të vazhdojë e për këtë i bëj thirrje Aleancës që ky debat të vazhdojë për të treguar se shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga termi “plehra”, duhet të ndahet nga mbetjet e pandara, të ndahet nga ndotja dhe zhvillimi i paqëndrueshëm. Debati duhet të vazhdojë për të nxitur menaxhimin e integruar të mbetjeve, për të gjetur zgjidhje nëpërmjet instrumenteve ekonomike që do të shpëtojnë mjedisin dhe jetën tonë. Ky debat vlen sepse, sikurse ai i një viti më parë, po vë në presion gjithë politikën shqiptare për t’i dhënë qytetarit zgjidhjet që i meriton. Këto janë zgjidhje që i ka dhënë gjithë bota dhe nuk ka pse ne të jemi ndryshe. Besoj se të gjitha këto përgjigje të mësipërme mund t’i shërbejnë gjithë qytetarëve, por sidomos Aleancës kundër “plehrave”, për të qartësuar objektin, për të tërhequr më shumë mbështetës dhe për të kontribuar më shumë në shoqërinë shqiptare. Së fundi, ftoj të gjithë anëtarët e Aleancës kundër “plehrave” dhe të gjithë mbetje-skeptikët për një vizitë në fabrikat e riciklimit. Ka disa fabrika riciklimi fare pranë Tiranës. Mendoj se ia vlen të vizitohen për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin. *Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

KOMENTE