English

Njihen në Facebook, arratisen dy të mitur

Pisa, 28 tetor 2011, NOA- Dy të rinj janë arratisur nga familjet e tyre pas lidhjes së krijuar nga një njohje në rrjetin social Facebook.

Protagonistë të kësaj ngjarje janë dy të mitur, vajza me origjinë shqiptare dhe djali italian.

Pas denoncimit të bërë nga prindërit e të zhdukurve, policia e Pisës në Itali kërkoi në sallën e pritjes së trenave në qytet ku u gjetën dy të rinjtë e moshës 17 dhe 15 vjeç.

Pasi u gjetën nga policia, vajza e moshës 15 vjeçare me origjinë shqiptare por me banim në Veneto, iu besua të atit ndërsa djali me origjinë italiane refuzoi të kthehej te prindërit, duke u dërguar përkohësisht në një qendër strehimi në Pisë. Ngjarja në fjalë u ndoq nga Prokuroria për të miturit në Firenze, e cila pritet të hedhë dritë mbi motivet e largimit të dy të miturve nga familja dhe mbi të gjitha arsyet se pse djali refuzoi të kthehej te i ati, i cili kishte qenë dhe personi që kishte denoncuar zhdukjen e të birit.

Ndërkaq në dëshminë e tij, i riu mësohet ti ketë thënë policisë se dëshiron që të jetojë vetëm me vajzën dhe se prindërit nuk i lejonin të jetonin bashkë, prandaj dhe morën vendim për tu larguar në mënyrë që të shijojnë dashurinë pa pengesa.

a.y/NOA

KOMENTE