English

O tradhti, që e ke emrin… lekë

Nga Preç Zogaj

Ka bërë bujë marrja e kryetarit të qarkut të Vlorës nga koalicioni qeveritar, ndërkohë që shumicën bindëse të këshilltarëve të këtij qarku – trembëdhjetë më shumë – e kishte koalicioni opozitar. Opozita nuk mund ta kalojë me mallkime dhe fatvara këtë përmbysje që fyen ekzistencën e saj. Do të ketë patjetër një analizë serioze për të sqaruar, kuptuar e reflektuar për atë që ka ndodhur. Ngrihen shumë pikëpyetje në fakt për funksionimin konkret të një kryetari qarku që është zgjedhur me votat e fshehta të koalicionit kundërshtar. Si do të votojnë më tutje franco-tiratorët (nga italishtja: ata që votojnë fshehurazi kundër formacionit që i ka zgjedhur), kur nuk do të ketë më votime të fshehta? Do të dalin hapur në krahun tjetër, apo do të sillen “as ashtu, as kështu”, duke e bllokuar de fakto kryetarin artificial nga pikëpamja politike? Farsa e gatuar në shkelje të parimeve dhe rregullave të përfaqësimit nuk do të gjejë paqe asnjë minutë. Por le t’ia lemë së ardhmes të na njohë me pasojat e tjera të saj. Le ta shohim problemin në rrafshin politik. Rasti i Vlorës vulos dukurinë e trafikimit dhe pazarllëqeve me votën nga një numër gjithnjë e më i madh këshilltarësh të zgjedhur nën siglat e partive opozitare. Ky lloj trafiku në masë ka bërë që të dalin fitues kandidatët e koalicionit humbës. Thënë ndryshe, ka nxjerrë në opozitë shumicën popullore dhe ka sjellë në krye të qarqeve pakicën. Është padyshim një akt blasfemie apo një topzullum politik në shoqërinë e hapur. Me të drejtë kolegët e shtypit opozitar kishin venë në shënjestër këto ditë këshilltarët matrapazë, që ndryshe votohen e ndryshe votojnë dhe, mbi të gjitha, pushtetin e Berishës që ka hedhur gjithandej rrjetën e blerjes së këshilltarëve si një nga format me të shëmtuara të dhunimit të vullnetit të zgjedhësve. Vetë mendimi i blerjes apo shitjes së personit të votuar është i pisët. Për të përligjur njëfarësoj këtë mizerabilitet politik, nga krahu i shtypit proqeveritar doli një pikëpamje jo pa përmbajtje, sipas së cilës zgjedhjet lokale nuk janë aq politike sa i bëjmë dhe se në fund të fundit këshilltarët e një qarku, pavarësisht nga vinë, janë në të drejtën e tyre të paparagjykueshme të zgjedhin kandidatin me të mirë mes dy a me shumë kandidatëve konkurrues për kryetar qarku! Kjo tiradë është shumë e bukur në vetvete dhe do të ishte akoma e bukur po të ishte e vërtetë. Por e rrëzon produkti. Në asnjë rast e ashtuajtura votë për kandidatin më të mirë nuk ka sjellë një përmbysje në favor të siglave opozitare dhe nuk ka nxjerrë fitues një kandidat të opozitës. Probabiliteti që opozita të mos ketë asnjë kandidat superior në pikëpamje të formimit dhe integritetit është zero. Votat kanë rrjedhur gjithnjë nga opozita në qeveri dhe ky është aspekti më i shëmtuar i kësaj historie. Të ikë deputeti apo këshilltari nga qeveria në opozitë, ka edhe këtu një problem etik me zgjedhësit, pasi rregulli i përgjithshëm është që i zgjedhuri të sillet siç votohet. Por së paku një ikje e tillë nuk bëhet për të përfituar favore, poste, tenderë, vende pune për të afërmit, e tjerë e tjerë. Këto favore i ka gjithnjë qeveria. Pra, një ikje nga shumica në opozitë nuk është meskine, edhe kur bëhet në gjaknxehtësi e sipër. Madje, në vartësi të motiveve, ky lloj largimi qëllon të ketë karakter burrëror dhe epik dhe të sjellë dobi të veçantë në trendin e zhvillimeve politike. Ka pazare, ka joshje, ka shpërblime, ka blerje me para në dorë në gjithë këtë rrjedhje votash nga opozita në qeveri. Kriza ekonomike u ka dhënë çuditërisht një lloj justifikimi të heshtur këtyre akteve. Thellimi i kësaj krize e fut vetvetiu fenomenin në fjalë në suazën e fatalitetit. Aq sa njeriu fillon e mendon se nga ky hall që na ka zënë mund të shpëtojmë vetëm po të vendosë të mos blejë deputetë e këshilltarë qeveria, apo vetëm po të neveritet Ilir Meta me të “rebeluarit” e PS-së, duke u thënë atyre: more zotërinj opozitarë, nëse u janë mbyllur hapësirat në PS, pse nuk shkoni në parti të tjera të majta të Opozitës së Bashkuar, por vraponi drejt e të unë që jam në qeveri dhe jam votuar si qeveri kësaj radhe; rrini me shokët më mirë. Kështu edhe lirinë që ju ka marrë Edi Rama e fitoni, edhe besnikërinë ndaj zgjedhësve dhe opozitarizmit e ruani! E kupton gjithkush se “opozitarët” që i bashkohen LSI-së shohin vetëm interesin e tyre të ngushtë. Po të motivoheshin nga parime të shëndosha dhe po të ndiheshin të ndrydhur në PS, ata, siç perifrazuam në mënyrë hipotetike zotin Meta pak më sipër, do të shkonin në një parti tjetër të majtë të Opozitës së Bashkuar. Fjala vjen në PSD, në PDS, në PSV. Këto parti kanë marrë së bashku mbi njëqind mijë vota në zgjedhjet e fundit. Është e qartë se dukuria e trafikimit të votës është në thelb një transaksion i fëlliqur midis atij që blen dhe atij që shitet me lekë dhe premtime. Por dukuria në fjalë është më komplekse. Ajo është pasqyra e një kalbëzimi dhe amullie më të thellë politike dhe shoqërore, ku përfshihen qeveria, partitë, kandidatët dhe madje edhe një pjesë e zgjedhësve. Dhe ky problem i madh vështirë se do të zgjidhet nëse nuk shihet e nuk përballohet në kompleksitetin e tij. Pa pretenduar të jap një pamje shteruese të fenomenit, duke e vazhduar aty ku e kanë lënë kolegët e mi të opozitës që folën për shitjet dhe blerjet, do të shtoj edhe tri arsye të tjera që mundësojnë përmbysjet e shëmtuara që kemi parë në Vlorë , Berat dhe gjetkë. Për ta nisur nga më e thjeshta, kalimet në masë të këshilltarëve nga opozita në qeveri padisin një gjendje pritshmërie të opozitës, një shkëputje relative të qendrës me bazën, një mungesë bashkëpunimi të Aleancës për të Ardhmen në nivel lokal, siç bashkëpunon dhe konsultohet në nivel qendror. Kjo aleancë është pranuar si ombrellë, por nuk është bërë akoma koshiencë e opozitarizmit në gjithë gjerësinë dhe thellësinë e tij. Këto “të çara” e kanë favorizuar vendimmarrjen individuale të këshilltarëve interesaxhinj. Lidhur ngushtë me arsyen e mësipërme, është arsyeja tjetër që ka të bëjë me caktimin pa asnjë kriter apo, me keq akoma, më vetëcaktimin e kandidatëve për këshilltarë të shumë prej partive të vogla. Është një e vërtetë tashmë e njohur: kryetarët dhe kryesitë e partive të vogla janë të interesuar për thesin e votave në shkallë vendi, ngado që të vijnë dhe sido që të vijnë ato. Nganjëherë ata nuk i njohin fare kandidatët për këshilltarë. Qëkurse vetëcaktohet në krye të listës së një partie, kandidati fitues ka marrë lejen për të përdorur mandatin ku t’i dalë më mirë për vete. Është një ujdi e heshtur me partinë që i ka huajtur siglën: ju llogarisni votat e mija në thesin tuaj për të vazhduar lojën tuaj të madhe në Tiranë, unë po shoh këtu ku jam punët e mia! Arsyeja e tretë, më e rëndësishmja: mjaft këshilltarë kanë fituar duke i blerë votat. Prandaj nuk u kërkon kush llogari kur e shesin atë. Sepse shesin shtrenjtë atë që kanë blerë lirë. Një votë për t’u zgjedhur këshilltar komune apo bashkie në qytetet dhe komunat periferike kushton, sipas shumë dëshmive, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë të vjetra. Blerja e votës ka sjellë andej-këndej pamje dhe përmbysje të paimagjinueshme. Parti inekzistente kanë dalë të parat ose të dytat sepse kanë pasur në krye te listave individë që kanë blerë votën. Kanë blerë zgjedhës dhe ky është aspekti tjetër tepër dëshpërues, ndoshta më dëshpëruesi i zgjedhjeve, sidomos i atyre lokale. Zgjedhësit që shesin votën nuk mund të quhen të tradhtuar. Ata, nganjëherë nga nënvlerësimi, por mbi të gjitha nga degradimi, janë pjesë e tradhtisë që u bëhet zgjedhjeve si mundësia e qytetarëve. Le të flasin të tjerët për turpin e tyre, unë flas për timin, thoshte Bertold Brehti. E gjithë kjo maskaradë me shitje dhe blerje votash ka sjellë një vërshim të mirëfilltë të injorancës si pararoja e krimit në politikë. Elita shqiptare, ajo politike dhe intelektuale, pa dallim moshe dhe seksi, duhet të bashkohet për ta ndalur këtë vërshim ogurzi. Opozita ka detyrimin t’i prijë kësaj përpjekjeje. Duke filluar me rivendikimin e pazareve në qarqet ku i është tjetërsuar fitorja, e duke vazhduar me përcaktimin e masave ligjore dhe politike që kufizojnë trafikun e votave.

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE