Tiranë, 28 tetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, dita e nesërme do të mbetet në kushtet e motit të qëndrueshëm. Moti i kthjellët do të jetë dominues pothuajse në të gjithë vendin, përjashtuar ekstremin verior dhe juglindjen ku gjatë orëve të mesditës parashikohen kalime vranësirash të lehta.
Në të njëjtat kushte meteorologjike vendi ynë do të mbetet edhe gjatë pasdites ku kthjellimet do të dominojnë në pjesën më të madhe të tij ndërsa në zonat malore do të ketë vranësira të herë pas hershme. Edhe gjatë natës i gjithë territori shqiptar do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta.
Temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime ato pothuajse do të qëndrojnë konstante në të dy vlerat si në ato minimale dhe në ato maksimale.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h dhe drejtim kryesisht Veriperëndimor duke bërë që në Adriatik dhe Jon dallgëzimi të jetë i ulët.
Europa
Edhe nesër, pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të mbetet në kushtet e motit të qëndrueshëm me kthjellime dhe vranësira kalimtare. Në këto kushte do të ndodhet Europa Lindore, Qendrore, Jugperëndimore dhe Rajoni i Mesdheut. Ndërsa sërish Vendet Nordike dhe Ishujt Britanike do të dominohen nga vranësirat dhe reshjet e shiut dhe dëborës. Reshje të dendura shiu e dëbore do të përjetojë Norvegjia ku problematike do të paraqiten stuhitë e forta të erës. Gjithashtu në kushtet e motit të paqëndrueshëm do të jetë Jugu i Francës dhe Spanjës, pasi vranësirat dhe shirat e dobët do të mbeten prezent edhe gjatë ditës së nesërme. Sërish deti në brigjet e këtyre vendeve do të jetë i trazuar si pasojë e stuhive të forta të erës. Ndërsa vendet e Ballkanit Verior do të përjetojnë një mëngjes të freskët por me diell kjo si pasojë e rënies së temperaturave në vlerat minimale.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Franca Jugore do të mbetet me shira dhe stuhi të forta ere
- Spanja do të mbetet me reshje shiu dhe dallgë të larta
- Vendet Nordike do të rrezikohen nga reshje shiu e dëborë
a.y/NOA