Shkodër, 28 tetor 2011, NOA – Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ai i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli inspektuan sot punimet që po kryhen si masa mbrojtëse ndaj përmbytjeve në disa zona në qarqet Shkodër dhe Lezhë.
Ministrat Nishani dhe Ruli panë nga afër ecurinë e punimeve në argjinaturën e Torovicës në Lezhë, ndërsa në zonën e Shkodrës punimet për mbrojtjen e bregut dhe rehabilitimin e argjinaturës së lumit Buna në Dajç, si dhe punimet në argjinaturat e lumit Buna në Shirgj dhe Daragjat.
“Pamë nga afër në terren që janë realizuar investime të rëndësishme të qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Bujqësisë dhe të agjencive të tjera,të cilat unë besoj plotësisht se janë një hap i rëndësishëm dhe japin një garanci më shumë përsa i takon sigurisë së jetës dhe të pronës së qytetarëve të këtyre zonave, të këtij rajoni, për të përballuar çdo situatë, sado e vështirë që ajo mund të na shfaqet, që mund të na vijë në këtë sezon dimëror”, u shpreh Ministri Nishani.
Në takimin që u zhvillua në Këshillin e Qarkut Shkodër me drejtuesit dhe krerët e njësive vendore, bashki e komuna dhe të agjencive rajonale, Ministri Nishani vuri theksin tek marrja e masave paraprake në zbatim të planeve të veprimit, në bashkëveprim dhe bashkërendim mes organeve qendrore e vendore.
Ai garantoi drejtuesit vendorë të Shkodrës për vëmendjen maksimale të qeverisë për të mbështetur me anë të të gjitha strukturave dhe mjeteve financiare marrjen e të gjitha masave për parandalimin dhe përballimin e situatave të përmbytjeve në këtë qark.
a.q/NOA