English

PS mbledh tryezën për drejtësinë, mungon e djathta

Tiranë, 28 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Sikundër kishte paralajmëruar, mazhoranca ka refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga PS për reformën në drejtësi. Në takimin e nisur pak minuta më parë, në një prej lokaleve në periferi të kryeqytetit, përveç kryetarit të grupit të LSI-së Lefter Koka, asnjë nga demokratët nuk është i pranishëm.

Kryetari i PS, Edi Rama, i pranishëm në tryezë, pritet të mbajë fjalën e tij.

Në fjalën e tij deputeti Fatmir Xhafa, njëherësh sekretar për çështjet ligjore në PS, ka shprehur keqardhjen për mungesën e kolegëve të tij demokratë.

“Kjo tryezë është një shans për të diskutuar të gjitha problemet që ka sot drejtësia shqiptare. Opozita ka paraqitur një dokument ku Partia Socialiste paraqet kundërvështrimin e saj në lidhje me reformën në drejtësi, e si i tillë duhet parë si dokument mbi të cilin duhet të punohet”, tha Xhafa.

Sipas tij, të majtët janë të gatshëm të votojnë ligjet që kërkojnë 84 vota, por, siç u shpreh Xhafa, ky proces shkon përtej ngritjes së kartonëve në Kuvend.

Ftesën e socialistëve për t’u ulur në një tryezë për sistemin e drejtësisë e refuzuan kryeministri, njëherazi dhe kreu i PD-së Sali Berisha,i cili ndodhet për vizitë në Tropojë, kryetarja e Kuvendit njëherazi nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, kreu i grupit Parlamentar Astrit Patozi si dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili.

a.q/NOA

KOMENTE