English

Topalli – Alcala: Çdo nismë për të luftuar dhunën ndaj grave

Tiranë, 28 tetor 2011, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mirëpriti sot ftesën e përcjellë nga Drejtoresha dhe Këshilltarja e Lartë në Seksionin e Ndalimit të Dhunës ndaj Grave pranë OKB, Maria Jose Alcala, që Shqipëria të bëhet pjesë e iniciativës për ndërgjegjësimin në shkallë globale si dhe ngritjen e funksionimin e shërbimeve të emergjencës në kuadër të luftës kundër këtij fenomeni. E pranishme në këtë takim ishte edhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun. Alcala theksoi se bëhet fjalë për ngritjen e shërbimeve të emergjencës për t’iu përgjigjur dhunës ndaj gruas dhe vajzave, përmes informacionit publik mbi të drejtat ligjore, linja telefonike falas për emergjencat; siguri dhe mbrojtje e menjëhershme përmes përgjigjes nga policia, kujdes shëndetësore etj.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si një mision të rëndësishëm ndërgjegjësimin në shkallë globale të ndalimit të dhunës ndaj grave duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo projekt, program apo ide në funksion të mbrojtjes dhe mbështetjes së viktimave të dhunës ashtu si edhe të eliminimit të këtij fenomeni.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e OKB, Alcala e cilësoi Shqipërinë si një ndër vendet që ka bërë progres të qenësishëm në ndalimin e dhunës ndaj grave ndërsa theksoi se janë pikërisht këto vende që shprehin vullnetin për të luftuar këtë fenomen që merren si shembull edhe për shtetet e tjera, për t’i inkurajuar ato të marrin masa konkrete në ndëshkimin e dhunës ndaj gruas. Ndërsa vlerësoi bazën ligjore, e cila garanton mbrojtje dhe nga ana tjetër masa të forta ndëshkimore, Topalli theksoi se: “Përtej legjislacionit, ne duhet të përballemi me realitetin me hapa edhe më konkretë, duke gjetur të gjitha mënyrat për të çliruar gratë që vuajnë këtë fenomen nga ndrojtja dhe për t’i sensibilizuar ato që të denoncojnë çdo rast ku shkaktohet dhunë”. a.q/NOA

KOMENTE