Sharr, 28 tetor 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosja ka denoncuar faktin se në fshatin Bresanë të Sharrit janë helmuar 14 nxënës pas konsumimit të produkteve serbe.
Në qëndrimin e kësaj lëvizje thuhet se, qendra e lëvizjes Vetëvendosje në Sharr, sot në mëngjes është informuar për rastin e helmimit te disa nxënësve te shkollës fillore “28 Nëntori” në fshatin Bresanë te Komunës se Sharrit dhe se rasti ka ndodhur gjatë festimit të ditëlindjes së nxënësit M. Fejzullahu, kur ai së bashku me shokët kanë konsumuar ëmbëlsira të llojit “Tako” të prodhuara në Serbi.
Mësohet se pas kësaj, nxënësit kanë filluar të ankohen për dhimbje të forta të barkut dhe vjellje e vazhdueshme.
Drejtori i shkollës dhe kujdestari i klasës i kanë shoqëruar nxënësit menjëherë për në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe sipas tyre, shkak i helmimit ka qenë ky lloj i ëmbëlsirës, i cili edhe pse nuk kishte afat të skaduar, kundërmonte një erë të keqe.
Doktoresha Lebibe Hasani nga Instituti për Shëndet Publik, ka pohuar se janë marrë mostra nga të vjellat e nxënësve dhe rezultatet e analizës përfundimtare të rastit konkret do te publikohen te hënën.
Lidhur me këtë rast Vetëvendosje shprehet se, “Përveç dëmit ekonomik që po i sjell vendit konsumimi i produkteve serbe të cilin ne do të vazhdojmë ta denoncojmë, lejimi i qarkullimit të tyre në treg nënkupton pranimin e vetëdijshëm të rrezikut real të cenimit të shëndetit publik, ashtu siç ndodhi me fëmijët në Bresanë të Sharrit. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Sharr, kërkon nga organet e rendit nisjen e menjëhershme të hetimeve për rastin konkret si dhe fillimin e ndjekjes penale ndaj importuesve vendor të këtyre produkteve”.
a.y/NOA