English

Berisha: Sa herë Rama tenton të ngjallë pakënaqësi, ndëshkohet

Berat, 29 tetor 2011, NOA- Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Beratit Kryeministri Berisha u ndal në inaugurimin e rrugës fshat Mbreshtan-Sinjë, me gjatësi 10.1 kilometra, gjerësi 4 metra dhe vlerë 131 milion lekë.

Kryeministri, duke përshëndetur banorët, uroi për rrugën e re dhe u shpreh se ajo, së bashku me rrugë të tjera të përfunduara nxjerrin në pah mrekullitë turistike të zonës, të mbetura në harresë, për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme.

Ai u premtoi banorëve se çdo biznesmen i kësaj zone që dëshiron të ngrejë këtu, linja të përpunimit të prodhimeve tuaja, do i jepet kredi e butë për ngritjen e tyre.

Duke iu drejtuar kryesocialistit Rama u shpreh se dje ishte në Pac, në Tropojë dhe në Golaj dhe se nga Kruma u kthye në Tiranë, brenda 2 orëve e 5 minutave për të vijuar me axhendën.

“Pasdite zotëria Sms, shpërndau sms në të gjitha gazetat se Berisha udhëtoi me tre helikopterë. Fillimisht nuk më erdhi më erdhi mirë, por pastaj mendova që ai ka të drejtë, pasi imagjinata e tij nuk e kap dot se çfarë transformimi sjellin këto rrugë. Ai nuk e mendon dot dhe ata nuk e mendojnë dot se këto rrugë po ju japin shqiptarëve atë, që atyre ju ka munguar më shumë, kohën, të cilën ata detyroheshin ta shpenzonin në rrugët më të këqija të Evropës dhe ndër rrugët më të këqija në botë. Ne po ndërtojmë tani rrugët më të mira”, theksoi ai.

Kryeministri Berisha tha se Rama mendon se duke vështirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë do të mund të ngjallë tek ata pakënaqësi ndaj qeverisë dhe në këtë mënyrë do të mund të ngjisë shkallët e pushtetit.

“Ju garantoj se do të vazhdojmë se bashku, kemi një pengesë me ligjet që kërkojnë tre të pestat, por ato janë jo më shumë se 3 deri në 5 % e ligjeve. Nuk kemi asnjë pengesë të ndërtojmë këtu në Sinjë, këtu në Mbreshtan , të ndërtojmë Evropën më të bukur, të ndërtojmë Sinjën e zhvilluar, Beratin e zhvilluar, Shqipërinë zhvilluar. Në maj ishte prova me e madhe e demokracisë. Më 8 maj, shqiptarët votuan dhe i dhanë, politikës më të madhe të bllokimit, ndëshkimin më të madh ndonjëherë, në historinë e zgjedhjeve vendore, 141 mijë vota më pak”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas tij Rama bërtet, përse po ikin qarqet, duke shtuar se qarqet po ikin se janë 141 mijë shqiptarë që kanë votuar më shumë për Aleancën e maxhorancës.

Berisha e mbylli fjalën e tij duke thënë: “Zotëria shkruan “Kurbanin”, por sigurisht po bllokove Tiranën, tiranasit votojnë për të gjithë shqiptarët, të japin mësimin e merituar. Nuk ka shqiptar që e voton politikën e bllokimit, nuk ka shqiptar, i çdo bindjeje qoftë, që voton për të bllokuar fëmijët e tij, për të bllokuar familjen e tij , për të bllokuar fshatin apo qytetin e tij. Jo, nuk është kjo, rruga e ardhjes në pushtet. Megjithatë 2013 po vjen dhe ne jemi të vendosur në mënyrën më demokratike të zgjidhim çdo kundërshti. Sikundër, unë ju them ju këtu, vëllezër dhe motra se absolutisht ne mbetemi shumë të respektueshëm ndaj opozitës, ne mbetemi shumë të gatshëm për dialog me opozitën. Ne mbetemi shumë të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, por ata që mendojnë se, jo bashkëpunimi, por bllokimi, ata që mendojnë se duke bllokuar procesin e integrimit evropian, do të shpërblehen nga shqiptarët, ata do të marrin ndëshkimin demokratik më të merituar”.

a.y/NOA

KOMENTE