English

Interpoli shpall fletëarrestet për pesë të dyshuarit për vrasjen e policit

Prishtinë, 29 tetor 2011, NOA - Pesë nga gjashtë të dyshuarit për vrasjen e policit, Enver Zymberi, janë futur në listën e Interpolit. Sipas raportit të Radio Dukagjini në Kosovë, pas kërkesës së bërë nga UNMIK-u, Interpoli ka publikuar, në faqen e vet online, fletëarrestet ndërkombëtare, për Ratomir Bozhoviç, Radovan Radiç, Milovan Vlaskoviç, Slobodan Vuçiniç dhe Dushan Jovanoviç. Pesë serbët akuzohen se vranë policin e forcave speciale të Kosovës, Enver Zymberi, gjatë aksionit për vënien nën kontrollin e Policisë së Kosovës, në 25 korrik, të dy vendkalimeve në veri të vendit, Jarinje e Bërnjak. Lëshimin e fletëarresteve ndërkombëtare për pesë të dyshuarit, e ka konfirmuar për Radio Dukagjinin, zëdhënësi i UNMIK-ut, Oliver Salgado. “UNMIK-u është autoriteti i vetëm në Kosovë që mund të bëjë kërkesa të tilla. UNMIK-u i kërkoi të enjten Interpolit që të lëshojë fletëarreste ndërkombëtare për këta persona, pasi janë pranuar nga EULEX-i të gjitha dokumentet e nevojshme juridike”, u shpreh Salgado. Më tej, Koha net bën me dije se Ratomir Kasaleviç ka mbetur i papërfshirë në listën e Interpolit. Sipas medias ende nuk dihen shkaqet e mospërfshirjes së tij në këtë faqe. Kohanet/NOA

KOMENTE