Lezhë, 29 tetor 2011, NOA- Një operacion i policisë së Lezhës i koduar “Llogaria e gabuar” ka bërë të mundur prangosjen e 4 zyrtarëve ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.
Të prangosuri janë Gjet Shkurti, lindur në fshatin Simon me banim në qytetin Rrëshen, me detyrë sekretar i këshillit të Komunës Kaçinar, i cili u ndalua pasi akuzohet për veprat penale të "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" .
E dyta e ndaluar është Flora Suti, lindur dhe banuese në fshatin Shëngjergj, me detyrë arkëtare e komunës Kaçinar, e cila është arrestuar si e akuzuar se ka konsumuar veprat penale të "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën" dhe "Falsifikim i dokumenteve" .
Altin Gjoka është i ndaluari i tretë, lindur dhe banues ne fshatin Arrëz, me detyrë punonjës i postës së Komunës, është prangosur si i akuzuar për veprat “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën" e kryer në bashkëpunim dhe "Falsifikim i dokumenteve" .
I ndaluari i katërt i këtij operacioni është Pashk Gjoni, lindur dhe banues ne fshatin Arrëz, me detyrë ish shefi i financës së komunës, edhe ky i akuzuar përt të njëjtat vepra si tre të sipërpërmendurit.
Por krahas tyre është shpallur në kërkim shtetasi N. Ç, me detyrë ish administrator i ndihmës ekonomike të komunës, për të cilin është vendosur masa e sigurise "Arrest me burg" për të njëjtat vepra penale.
Mësohet se një ndër shkeljet që këta persona kanë kryer, ka qenë ajo me ndihmën ekonomike, ku nga lista e përfituesve vetëm gjysma e tyre përfitonte nga kjo skemë, ndërsa pjesa tjetër ndahej mes katër zyrtarëve të komunës Kaçinar.
a.y/NOA