English

Në vendet shqipfolëse kemi përdorim të ndryshëm të fjalëve të huaja

Vërshimi i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe është pasojë e globalizimit. Purizmi i gjuhës është me vend kur në rrezik është çështja kombëtare. Kjo çështje nuk është sot në rrezik tek shqiptarët. Kështu shprehet në intervistë me DW-në studiuesi i gjuhës shqipe Dr. Gerd-Dieter Nehring

Në gjuhën shqipe kohëve te fundit vërehet një vërshim i madh fjalësh të huaja si asnjëherë më parë. Sa rrezik përbën kjo për gjuhën shqipe?

Kur flasim për gjuhën nuk kemi të bëjmë thjesht me një problem teknik por me një çështje të rëndësishme kombëtare, kulturore dhe shoqërore. Shqipja, në radhë të parë shqipja standarde është një emërues i përbashkët kulturor i të gjithë shqiptarëve. Ajo e ka bërë dhe do ta bëjë kulturën kombëtare dhe botën shqiptare në tërësi më të integruar. Pra desha të them edhe atëherë kur flasim për një vërshim të madh fjalësh të huaja duhet të kemi parasysh se çfarë roli luajnë fjalët e huaja, ku përdoren ato në gjuhën shqipe d.m.th. në cilën fushë të gjuhës dhe pse përdoren ato. Duke u nisur nga ky këndvëzhgim mund të themi se vërshim të madh fjalësh të huaja sot kemi në shumë gjuhë. Kjo është pasojë e globalizimit, e zhvillimeve jetësore të kohës sonë. Së dyti: vërshimi i madh i fjalëve të huaja nuk karakterizon çdo fushë ose stil të shqipes, as të shqipes standarde, as të gjuhës së brezave të ndryshëm.

Në çka bazohet ky konstatim?

Unë momentalisht po merrem me krahasimin e teksteve shkollore në vende të ndryshme shqipfolëse. Bëhet fjalë për një projekt të Institutit Georg-Eckert me seli në Braunschweig dhe nuk kam përshtypjen se përdoren në masë të madhe fjalët e huaja. Nëse lëmë mënjanë varietetet speciale fjalët e huaja përdoren më së shumti në gjuhën shqipe në masmedia, në mjetet e informimit, në reklamë, në modë, në gjuhën administrative etj. Shpeshherë ato që nuk hynë në thesarin e përbashkët të shqipes, janë fjalë të modës dhe të kufizuara në përdorim. Pra duhet të pyesim se sa kuptohen ato nga njerëzit dhe çfarë ngjyrosje stilistike kanë. Dhe unë mendoj se këtu fillon problemi. Në vendet shqipfolëse kemi një përdorim të ndryshëm të fjalëve të huaja. Ndikimi i gjuhës gjermane me siguri duhet të jetë më i madh në Kosovë sesa në Shqipëri, ndërsa sa i përket ndikimit të gjuhëve romane kemi një raport të kundërt me këto dy vende.

Sipas jush cili duhet të jetë raporti midis purizmit të gjuhës dhe thithjes së fjalëve të huaja?

Purizmi ka qenë gjithmonë me vend kur në rrezik ka qenë çështja kombëtare. Kjo çështje nuk është sot në rrezik tek shqiptarët. D.m.th. nuk duhet të kemi një purizëm të tepruar. Raporti midis purizmit dhe thithjes së fjalëve të huaja duhet të jetë në kufinjtë e përmendur përpara.

Sa rrezik përbën për gjuhën keqpërdorimi dhe shpërfillja ndaj rregullave të drejtshkrimit të normave gjuhësore?

Bindja ime në këtë fushë është se në çështjet e drejtshkrimit dhe të normës gramatikore tani duhet të punohet vetëm me limë siç e tha për shembull profesori Emil Lafe, jo me politika gjuhësore të guximshme. Profesori Çabej gjatë punës së tij 12 vjeçare në Komisionin e Drejtshkrimit na këshillonte që të ecim me këpucë plumbi. Në krahasim me gjuhët e tjera drejtshkrimi i shqipes mendoj unë nuk paraqet një problem aq të madh. Ai i përket punës së shkollave dhe mund të mësohet".

Brezi i ri si nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia preferojnë të studiojnë më shumë jashtë vendit. Dhe me sa duket ata janë më perfekt në gjuhën e vendit ku studiojnë si për shembull në anglisht, gjermanisht apo frengjisht, ndërkohë që formimi gjuhësor që marrin nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia është relativisht i mangët. Sa mund të përbëjë kjo një problem afatgjatë për gjuhën shqipe?

Unë mendoj se kjo është një gjë normale, kur ata studiojnë jashtë vendit e dijnë më mirë gjuhën e lëndës, të cilën e studiojnë se sa gjuhën amtare. Por vëzhguar në tërësi ky është një problem, i cili duhet të mirret parasysh në arsim, bile edhe në universitet. Unë kam punuar për një kohë edhe në Universitetin e Prishtinës dhe atje rektori kishte një propozim të mirë i cili megjithatë nuk pati mundësi të realizohej për shkaqe financiare. Ai thoshte se gjuha shqipe duhet të mësohet nga çdo student në universitet. Me këtë desha të them se mësimi i shqipes duhet të mirret parasysh në planprogramet mësimore të vendeve shqipfolëse dhe nëqoftëse një student dëshiron të punojë në Kosovë apo në një vend ku flitet shqipja, ku shqipja është gjuhë shtetërore ai duhet ta dijë edhe gjuhën shqipe dhe të mirret me gjuhën shqipe.

Dhe për fund zoti Nehring, cili do të ishte propozimi i juaj, çka duhet bërë sot më shumë për gjuhën?

Desha të them se për çështjet e gjuhës dhe për përdorimin e tepruar të fjalëve të huaja ka pasur diskutime të shumta. Mua më kujtohen disa konferenca, për shembull vitin e kaluar në gusht kishim një konferencë në Prishtinë për gjuhën standarde, pas të cilit është bërë edhe një publikim. Në të janë rrahur disa çështje të përdorimit të gjuhës. Nga ana tjetër kemi pasur edhe një konferencë në fund të vitit në Durrës: 'Shqipja në etapën e sotme - politikat e pasurimit dhe përmirësimit të standardit. Ajo çka desha të them unë është se tani duhet të vërehen rezultate dhe të bëhen përparime sa i përket këtyre çështjeve. Nga ana tjetër duhet të kemi edhe një përkrahje të këtyre njerëzve dhe institucioneve që mirren me këto çështje.

KOMENTE