Kina është e gatshme për dhënien e parave në fondin e eurozonës për ndihmë, nëse liderët evropianë e bindin Pekinin se investimi është i sigurt, i ka thënë së përditshmes londineze, Financial Times, një këshilltar i lartë i Qeverisë së Kinës.
Një tjetër burim i ka thënë gazetës se investimi mund të arrijë në 100 miliardë dollarë para të gatshme. Kjo gazetë, mëtutje, raporton se Kinës i duhen siguri se edhe vendet e tjera do të kontribuojnë në fond.
Sipas gazetës, Kina, po ashtu, kërkon që të jetë e sigurt se liderët evropianë do të përmbahen nga kritikat për politikën kineze.
Sakaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin në vendimet e fundit të samitit të krizës së euros bazën për kapërcimin e krizës së borxheve në Evropë.Vendimet e krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian hodhën "fundamentin vendimtar" për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të krizës, sqaroi presidenti amerikan Barack Obama në Uashington.
Tregjet financiare botërore kanë reaguar pozitivisht pas vendimeve të samitit evropian për krizën e borxheve.
Bursat evropiane shënuan rritje të kurseve përkohësisht deri në 4%. Edhe tregjet e aksioneve në Azi shënuan rritje të aksioneve. Euro u paraqit e fortë gjatë ditës së djeshme.